A e dini cilat janë produktet më toksike në frigoriferin tënd

Enët e paketimit të ushqimeve janë të rëndësishme për cilësinë dhe freskinë e tyre.

Megjithatë, materiali i përdorur në këto enë luan një rol thelbësor në aspektin shëndetësor të një ushqimi.

Në shumë shtëpi shqiptare, ushqimet ruhen kryesisht në enë plastike që blihen lirë në treg.

Por këto produkte na kushtojnë shtrenjtë për shëndetin

Materiali, veçanërisht plastika, arrin ta kthejë një ushqim të shëndetshëm në një ushqim toksik e kancerogjen

Plastika përmban një kimikat të njohur si bisphenol-A (BPA).

Ky kimikat është përdorur për krijimin e plastikës që në fillim të viteve 60′ dhe vazhdon të përdoret edhe sot.

BPA-ja gjendet në shumë prej paketimeve të ushqimeve dhe pijeve më të përdorura çdo ditë në botë siç është shishja e ujit, enët e kuzhinës, kanaçet, etj.

Kur ushqimi bie në kontakt me plastikën, metalin apo materiale të tjera, ka shumë gjasa që ai të kontaminohet me këtë kimikat të rrezikshëm që ndër të tjera shkakton dëme në tru, në zemër e mushkëri por edhe nxit shfaqjen e kancerit

Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org kanë zbuluar lidhje të forta mes BPA-së dhe rritjes së tensionit të gjakut tek të rriturit.

Mjekët në Harvard nga ana tjetër bëjnë thirrje për kujdes dhe këshillojnë përdorimin sa më pak të këtyre ushqimeve të paketuara dhe përzgjedhjen e ushqimeve të freskëta.

Në vend të plastikës apo materialeve të tjera të dëmshme, ekspertët sugjerojnë përdorimin e qelqit, çelikut ose porcelanit për paketimin e ushqimeve.

Disa Mënyra Për Të “Mundur” Plastikën

  • Përdor trasta lecke dhe jo qese plastike për pazar.
  • Përdor shishe uji shumë përdorimëshe.
  • Mos përdor enë plastike për ruajtjen e ushqimeve.
  • Mos përdor paketimet një-përdorimshe, paketimet e tepruara, pipëzat dhe plastika të tjera të disponueshme. Mbani me vete mjete të ripërdorshme.
  • Kërko alternativa për të zëvendësuar plastikën në mjetet që përdorni.
  • Riciklo. Nëse ju duhet të përdorni plastikën, përpiqu të përdorësh numrin 1(PET) ose numrin 2(HDPE) të cilat janë plastikat e riciklueshme më të përdorshme. Evito qeset plastike apo ambalazhet e polisterolit (bukëpeshku) duke qenë se kanë koefiçient riciklimi të ulët.
  • Përhape fjalën. Flit me familjarët  dhe miqtë për rëndësinë e reduktimit të përdorimit të lëndëve plastike në jetët tona dhe për ndikimin shkatërrimtar në shëndet dhe në mjedis./AgroWeb.org

 


Shtuar 19.09.2021 22:39