A do të hiqet ora policiore gjatë verës, përgjigjet Rakacolli

Zv-ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ditën e sotme tha për Wake-up  se lehtësimi i masave erdhi si pasojë e të dhënave aktuale të infektimeve. Megjithatë Rakacolli shtoi se masat mund të ndryshojnë edhe gjatë verës.

“Masat mund të ndryshohen dhe kjo është në varësi të të dhënave që kemi. Këto masa përkojnë me të dhënat që kemi sot. Në rast të përkeqësimit të situatës atëherë masat do të ndryshojnë, por ne shpresojmë të kemi një verë të qetë dhe situata të vijë drejt përmirësimit”- u shpreh Rakacolli.

E pyetur se pse nuk hiqet ora policore, zv.Ministrja tha se bëhet për arsye që njerëzit mos të qëndrojnë gjatë në një ambjent.

“Ora policore mbahet për arsye që një individ apo një grup individësh mos të qëndrojnë gjatë në një ambjent. Ora policore ka pasur efektshmëri edhe më përpara”- tha Rakacolli.

Kujtojmë se ditën e djeshme, në një konferencë për shtyp, Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije lehtësimin e masave ndaj koronavirusit.

Duke filluar prej 1 qershorit, maska nuk do të jetë me e detyrueshme në ambjentet e hapura dhe ora policiore do të shtyhet me një orë.

Nga 1 korriku, ora policore shtyhet deri në 00:00, si dhe tifozët rikthehen në stadiume në masën 30%.


Shtuar 28.05.2021 09:26