Rakacolli bën thirrje për kujdes ndaj masave anti-COVID: Nuk është koha të gëzojmë!

“Shifrat kanë ardhur në rënie, si infektimet e reja, po ashtu edhe shtrimet në spital. Ky është një rezultat i masave të marra, por edhe të bashkëpunimit të një pjese të popullsisë.

Megjithatë, duhet pasur parasysh që ende nuk ka ardhur rezultati i atyre grumbullimeve që kanë thyer masat. Po ashtu, ka pasur ndikim edhe procesi i vaksinimit”.

Kështu u shpreh në A2 Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, teksa foli për situatën aktuale të pandemisë në vendin tonë. Më tej, Rakacolli tërhoqi vëmendjen e qytetarëve që të respektojnë masat edhe gjatë festave, siç janë Pashkët dhe Bajrami.

“Asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur me këto rezultate. Të mos harrojmë që po afrojnë festa e Pashkëve dhe pak më vonë edhe Bajrami. Festa e Pashkëve, e cila është në ditët e para të majit, shoqërohet gjithmonë me lëvizje njerëzish nga vendet fqinje, të cilat kanë filluar të kenë numra të lartë.

Duhet të kemi kujdes që të jemi të vëmendshëm në zbatimin e masave. Nuk është akoma koha të gëzohemi. Duke zbatuar masat mund të kemi një verë të lehtësuar”, u shpreh zëvendësministrja Rakacolli./a2cnn


Shtuar 19.04.2021 12:48