Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një auditim në shendetësi ku ka nxjerrë edhe një raport për Check-Up.
KLSH ka zbuluar se për koncesionin e check up në shëndetësi janë bërë pagesa të paligjshme duke përfshire edhe tatimin mbi vlerën e shtuar prej 20 përqind në një kohë kur shumë shërbime përjashtohen nga TVSH.
Sipas institucionit më të lartë të auditit, tatimi mbi vlerën e shtuar që qeveria bën ndaj koncesioneve PPP ne shëndetësi është i paligjshëm.
Raporti:
Konstatohet se edhe për vitin 2020 vijojnë të pranohen dhe likuidohen faturat tatimore mujore të Check-Up, lëshuar nga koncesionari, në vlerën totale 322 milion lekë në të cilën përfshihet edhe TVSH në masën 20% mbi vlerën e shërbimit shëndetësor, ndërkohë që ky shërbim duhet të trajtohet si Furnizim i Përjashtuar nga TVSH.
Praktika vazhdon bazuar edhe në interpretimin e DPT, e cila ka referuar shërbimin si të tatueshëm, shkruan Tch.
Në raportin dërguar Kuvendit Kontrolli i Lartë i Shtetit shpjegon edhe ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, i cili përcakton edhe shërbimet e përjashtuara nga TVSH sic janë– Furnizimi i barnave, pajisjeve mjekësore të implantueshme aktive dhe pajisjeve mjekësore të implantueshme. Furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin. KLSH ka bërë edhe një llogaritje të dënimit që shkon në 800 milionë lekë që në mënyrë të padrejtë i janë dhënë koncesionit.
KLSH ka kontrolluar edhe sterilizimin dhe rezultoi se aplikohet Tatim mbi Vlerën e Shtuar, në masën 20 % mbi çmimin e kontraktuar. Ndërsa për shërbimin e “Hemodializës”, ky tatim nuk aplikohet. KLSH, kishte këshilluar ndryshimin e mënyrës së faturimit për shërbimin e “Check-Up”, situata nuk ka ndryshuar, por ajo vijon edhe në koncesionin e “Sterilizimit”. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë të miratojë akte ligjore që rregullojnë procesin e furnizimit të shërbimit shëndetësor, të ofruar nga shoqëritë koncesionare, me qëllim shmangien e interpretimeve në këto shërbime./albeu.com/