Sipas një raporti të publikuar nga The Guardian, fondacioni bamirës i familjes së Elon Musk ka mbuluar shpenzimet për udhëtimin në Rusi të aktivistit britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson.
Të lidhura
None found
Gazeta shkruan se këtë e ka pohuar Errol Musk, babai i miliarderit Elon Musk, i cili tha se kishte udhëtuar bashkë me Robinson drejt Moskës dhe se kostot ishin paguar nga Musk Foundation, organizata filantropike e krijuar nga Elon Musk dhe vëllai i tij, Kimbal Musk.
“Unë e çova në Rusi”, mësohet të ketë deklaruar Errol Musk për The Guardian, ndërsa ka shtuar se gjatë qëndrimit atje kanë zhvilluar takime me përfaqësues të biznesit rus.
Udhëtimi i Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, u realizua muajin e kaluar. Gjatë kohës që ndodhej në Moskë, ai postoi video në rrjetet sociale dhe bëri thirrje për protesta kundër emigracionit në Britani pas një sulmi me thikë në Belfast.
Sipas raportit, kjo vizitë ndodhi në një moment kur autoritetet ruse po kërkonin të thellonin kontaktet me figura të ekstremit të djathtë në Evropë. Në të njëjtën kohë, në Rusi ndodheshin edhe influencuesit Andrew dhe Tristan Tate.
Errol Musk e cilësoi Robinsonin si “një djalë të mirë”, duke thënë se ai është “gjaknxehtë, por po mëson”. Ai theksoi gjithashtu se në takimet e zhvilluara në Rusi është folur edhe për çështje si rënia e lindshmërisë në vend.
Pas rikthimit nga Rusia, Robinson u ndalua nga policia britanike, e cila i sekuestroi telefonat për qëllime hetimore.
Nga ana tjetër, profesori Stephan Lewandowsky nga Universiteti i Bristolit, ekspert i dezinformimit, tha për The Guardian se Rusia ka një interes strategjik për të ndërtuar lidhje me figura që mund të ndikojnë në destabilizimin e demokracive perëndimore, duke e përshkruar këtë si pjesë të një lufte hibride politike.
Deri në këtë moment, nuk ka pasur asnjë reagim publik nga Elon Musk apo nga Musk Foundation në lidhje me pretendimet e bëra publike nga The Guardian.
