Në Tetovë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) organizoi edhe sot një protestë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi emrat në shqip të rrugëve dhe shesheve të qytetit.
Të lidhura
None found
Marshi i protestuesve nisi nga sheshi “Iliria” dhe përfundoi para ndërtesës së Komunës së Tetovës. Aty u vendosën pankarta me thirrjet “Edhe rrugët flasin shqip” dhe “Historia nuk abrogohet”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan edhe dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Para nisjes së protestës, kryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, deklaroi se Komuna e Tetovës ka penguar qytetarët për të marrë pjesë në këtë protestë të dytë.
Sipas Rexhepit, veprimet e tyre të mëtejshme do të varen nga mënyra se si do të reagojë Komuna e Tetovës lidhur me këtë çështje.
“Shihni një mal me njerëz të cilët janë duke treguar mllefin ndaj kthimit të emrave të vjetër të rrugëve të Komunës së Tetovës. Ajo që na ka befasuar është se si Komuna e Tetovës po mundohet të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë. Kemi njoftuar policinë për protestën. Por edhe korin diplomatik në Shkup, të cilët janë duke monitoruar protestën. Protestat do të vazhdojnë dhe ato varen nga reflektimi të cilin do të tregojë Komuna e Tetovës”, tha Rexhepi.
Kjo shënon protestën e dytë të organizuar nga BDI në Tetovë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e emrave të rrugëve dhe shesheve.
Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e Komunës së Tetovës të vitit 2007 për riemërtimin e rrugëve dhe shesheve, me arsyetimin se për këtë nuk ishte marrë pëlqimi i Qeverisë.
