Policia Kufitare në Shkodër ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili po transportonte me automjetin e tij, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme.
Njoftimi i policisë:
Policia Kufitare godet një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm, në drejtim të fshatit Vukpalaj, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të zonës, mbrëmjen e djeshme, punonjësit e Policisë Kufitare kanë konstatuar duke zbritur nga një automjet “Volksëagen”, disa emigrantë të paligjshëm, në fshatin Vukpalaj.
Falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. D.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. D. po transportonte me automjetin e tij, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 19 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër./albeu.com