Këtë të martë, një deklaratë e bërë nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari në Kuvend, se ligji 7501 u miratua nga Partia Demokratike, është bërë objekt debati në Komisionin e Ligjeve.
Teksa sot në mbledhje raporton ministri, deputeti i PD-së, Ivi Kaso, pohoi se Lamallari duhej ta niste fjalimin e tij me një ndjesë publike, pasi kishte gënjyer.
Ai tha se nuk e ka miratuar PD-ja ligjin 7501.
“Do të ndalem te një pyetje. Ministri ka pak në këtë detyrë. Diçka që lidhet me ministrin dhe jo me periudhën e raportimit. Besoj se kjo seancë e ministrit, përveç raportimit, të kishte nisur me një ndjesë publike. Ai duke u bërë pjesë e një debati publik, ka dezinformuar. Ai ka pretenduar se ligji 7501 është miratuar nga PD dhe kjo nuk është e vërtetë. Jo vetëm nga paraqitja objektive e fakteve, në fall ministri u kap nga shtypi dhe jo nga opozita. Kjo deklaratë në kuadër të një deklarate politike s’do të bënte problem, por ministri përfaqëson institucionin më të lartë të Drejtësisë. Njerëzit e marrin për të vërtetë këtë deklaratë. Zoti ministër, a mendoni se i detyroheni një ndjesë opinionit publik për dezinfomin që bëtë se kush e miratoi ligjin 7501”?- tha Kaso.
Sakaq, ministri i Drejtësisë, theksoi se i ai i referohej një deklarate të 11 shkurtit të vitit 2014. Ndërsa shtoi se nuk dezinformuar asnjëherë publikun.
“Prej 8 vite e gjysmë jam pjesë e kësaj qeverie. Në asnjë moment nuk kam dezinformuar. I referohem fakteve. Mjafton që të shohësh një intervistë të 11 shkurtit 2014 ku merret përgjegjësia e atij ligji. Të merret dhe lexohet në mënyrë korrekte dhe jo të analizohet deklarata ime. Shqipëria europiane nuk është Shqipëria e problemeve të theksuara të pronës, apo ligjeve të shkruara gabim, por është vendi i ligjeve që përputhen me standardet e BE”, tha ai.