40 banesa nën ujë në Durrës, shpëtohet një furgon me fëmijë shkolle

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar informacionin në lidhje me situatën e shkaktuar nga moti i keq. Më e vështirë situata është në Bashkinë Durrës, ku po punohet në disa zona për të normalizuar situatën. Edhe pse reshjet janë ndërprerë problem mbetet kryqëzimi pranë stadiumit, te stacioni i trenit, në lagjen “17 Nëntori”, në zonën e Kënetës dhe në Shkozet.

“Emergjencat Civile u kanë ardhur në ndihmë 4 fëmijëve të bllokuar në një furgon shkolle dhe një familjeje, ndërsa më problematike është situata në rreth 40 banesa në Shkozet, ku është regjistruar prani uji. Në mbështetje të forcave në terren janë Forcat e Armatosura me 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 mjete të kalueshmërisë së lartë” – thuhet në njoftim.

Momentalisht po punohet në terren nga forcat e Drejtorisë Rajonale të Kullimit Durrës për pastrimin e Kanalit të Ujërave të Larta në unazën e qytetit, ndërsa janë të angazhuar edhe strukturat e Autoritetit Portual, ndërmarrjet e Bashkisë Durrës, MZSH-së dhe Policia Bashkiake.

Në njoftim thuhet se pjesa kritike tashmë është tejkaluar. Prefekti i Durrësit në mbledhjen e emergjencave civile bëri një përmbledhje të situatës që po shkon drejt normalizimit. Hidrovori po punon me kapacitet të plotë, ndërsa niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave dhe nuk përbën rrezik. Situatë normale në digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve.

Në pjesën tjetër të vendit situata është nën kontroll dhe pa problematika në qarkullim. Të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale e nuk paraqesin asnjë rrezik. Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile dhe Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të ndërhyrë edhe në pjesë të tjera të vendit, si në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë, ku priten reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.


Shtuar 29.01.2025 21:26