18 viktima nga Covid në Maqedoninë e Veriut, mësoni rastet e reja

18 viktima dhe 386 raste të reja janë regjistruar nga Covid-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut.

Lajmin e bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raportit, nëntë persona e kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa për nëntë të tjerë thuhet se ka vdekur më herët, por pa saktësuar datën e vdekjes.
Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 11 janë nga Shkupi ndërsa të tjerët nga Tetova, Ohri, Prilepi, Shtipi dhe Kavadari. Numri i viktimave tani ka arritur në 6,817, shumica prej tyre janë nga Shkupi, ndërsa qytetet tjera që kanë numër të madh të viktimave janë Tetova, Kumanova, Gostivari, Shtipi, Ohrit dhe Prilepi.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 3,984 persona të shëruar, që paraqet shifrën më të lartë që është raportuar për një ditë që nga paraqitja e pandemisë. Të shëruarit janë të periudhave të mëhershme, por që nuk janë paraqitur më kohë si të shëruar nga institucionet përkatëse shëndetësore.

Numri i rasteve aktive me koronavirus tani është ulur në rreth 6,900 nga rreth 194,000 sa janë diagnostikuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka paralajmëruar masa të reja shtrënguese për të pavaksinuarit dhe për ata që kanë marrë vetëm nga një dozë të vaksinës. Në rast të miratimit të vendimit, këta persona nuk do të lejohen të hyjnë në ambiente të mbyllura si në qendrat tregtare, hotele, restorante dhe objektet e tjera të gastronomisë, por edhe në institucionet kulturore e sportive.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë dhënë rreth 790,000 vaksina ndërsa ka nisur dhënia edhe e dozës së tretë. Me dozën e tretë, deri më tani janë imunizuar rreth 3,000 persona.

Ministria e Arsimit ndërkohë po përgatitet për një testim të shpejtë të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme që do të përfshirë më shumë se 8,000 nxënës. Qëllimi i testimit ka të bëjë me hetimin nëse në mesin e nxënësve ka raste të të infektuarve asimptomatikë.