10 të vdekur dhe 82 të zhdukur nga përmbytjet në Indi

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën në shtetin indian të Sikkim dhe 82 të tjerë, përfshirë 23 ushtarë, janë të zhdukur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan vërshimin e liqenit akullnajor Lonak, duke rezultuar në përmbytje shkatërruese në rajon.

Sipas Departamentit Meteorologjik të Indisë (IMD), 40.9 mm shi ranë mes të martës dhe të mërkurës në mëngjes, pesë herë më shumë se sasia e zakonshme prej 8.6 mm për këtë periudhë të vitit.

“Deri më tani janë gjetur 10 të vdekur, në vende të ndryshme. Të paktën 82 persona janë të zhdukur dhe 22 të tjerë të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë”, tha Kryesekretari i Sikkim, VB Pathak.

Reshjet e papritura mbi liqenin Lonak çuan në përmbytjen e një lugine rreth 150 kilometra në veri të Gangtok, pranë kufirit me Kinën, në një rajon malor dhe të izoluar të Himalajeve.

Shiu po pengon kërkimin për ushtarët e zhdukur pasi kryeqyteti Gangtok nuk është i aksesueshëm me rrugë, thanë zyrtarët e forcave të armatosura.

Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes tha se gjithsej 23 ushtarë janë zhdukur dhe disa automjete janë zhytur në baltë.

“Një operacion kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar,” shtoi ai.

Disa baza ushtarake dhe objekte të tjera përgjatë luginës janë prekur nga përmbytjet./Albeu.com


Shtuar 4.10.2023 19:37