Të tjera detaje kanë dalë nga arrestimi në Itali i ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Sipas burimeve nga mediat italiane, bëhet me dije se Kajmaku mbahej prej 8 muajsh nën vëzhgim të rreptë nga policia.
Gjithashtu për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje, policia italiane ka montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.
Autoritetet italianë kanë kërkuar informacione edhe nga autoritetet shqiptare lidhur veprimtarinë e tij.
Kujtojmë se ai u kap me 20 kilogram kokainë me një vlerë prej 1 milion aurosh, në zonën e ‘San Benedetto del Tronto’, së bashku me nipin e tij.
Kajmaku ishte një ndër pjestarët më të rinj që i ishin bashkuar grupit dhe sasia e drogës kur u gjet ishte e fshehur në vazo me lule.
Kujtojmë se Kajmaku u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ku opozita nuk mori pjesë, por nuk e gëzoi për shumë kohë atë mandat. Partia Demokratike i zbuloi atij një dënim të padeklaruar në Greqi për falsifikim parash, të cilin duhet ta kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe menjëherë policia e shpalli në kërkim. Në ditën që u shkarkua nga KQZ-ja ai firmosi shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë, firmë e cila i rëndoi pozitën, pasi u akuzua edhe për përdorim të postit pas lirimit.
Pasi qëndroi 8 muaj në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore. Por një ditë pas arrestimit, në 8 korrik 2020 Gjykata e Apelit liron ish krye-bashkiakun e Vorës.
Apeli caktoi ‘detyrim paraqitje’ për Kajmakun pasi vetë prokuroria, konkretisht prokurorja Arta Marku kërkoi zbutjen e masës së sigurisë. Kajmaku vuan nga disa sëmundje dhe kjo me sa duket ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.