Zyrtarë të lartë të BE-së pritet ta vizitojnë Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit në Kosovë, procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në këtë drejtim, Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së, raporton KosovaPress.

“Në takim u diskutua gjithashtu për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim. Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës, raporton KosovaPress.

Me këtë rast, presidentja Vsjosa Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës.

Përndryshe, masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës në korrik të vitit të 2023, ende nuk janë larguar për Kosovën.


Shtuar 3.03.2025 18:55

Tags: ,