Refuzimi i kërkesave të grupeve nismëtare për organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, është zvarritje e panevojshme e procesit dhe shkel edhe Udhëzimin Administrativ që e rregullon këtë çështje, thonë nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës e nxori Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, në shtator.
Udhëzimi kishte qëllim t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pasi banorët lokalë i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, të zgjedhur në prill.
Katër grupe nismëtare, veç e veç, secili i përbërë nga tre qytetarë, u dorëzuan më 7 dhjetor kryesuesve të kuvendeve komunale të katër komunave në veri kërkesat për inicimin dhe organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave.
Ky është ndër hapat e parë që parashihet me Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, por u refuzua.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se refuzimi është zvarritje e panevojshme e procesit që do t’i çonte katër komunat veriore drejt zgjedhjeve të reja lokale.
Kjo, sipas tij, bie ndesh edhe me zotimet që kanë marrë institucionet e Kosovës përballë partnerëve perëndimorë, për uljen e tensioneve në veri përmes organizimit të zgjedhjeve të reja.
“Kjo rrezikon ta paraqesë Kosovën para ndërkombëtarëve si palë destruktive, e cila nuk ka interes për t’i zbatuar plotësisht zotimet në kuadër të marrëveshjeve të arritura për depërshkallëzim të situatës në veri, por edhe zotimet e përditshme të dhëna si nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe të tjerët, se ata janë të gatshëm që ta dëgjojnë vullnetin e qytetarëve serbë që jetojnë në ato komuna veriore”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.