Zgjedhjet në Kosovë, bie mbështetja për Listën Serbe, por ndikimi i Vuçiçit vazhdon

“Kjo është një fitore e popullit serb, e bashkimit dhe solidaritetit serb” – kështu e përshkroi Lista Serbe fitoren e saj në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku do të zhvillohet rundi i dytë i votimeve.

E njëjta situatë kishte ndodhur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kur Lista Serbe e fitoi rundin e dytë.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, në shumicën e komunave me shumicë serbe vërehet rënie e mbështetjes për këtë parti.

Ky trend është veçanërisht i dukshëm në Mitrovicën e Veriut, ku Lista Serbe mori 60% të votave në zgjedhjet e së dielës. Katër vjet më parë, kjo parti, e mbështetur nga Beogradi, kishte marrë rreth 91% të votave, informon Radio Evropa e Lirë.

Një ndryshim këtë herë ishte se serbët në këtë komunë mund të votonin edhe për gjashtë kandidatë të tjerë serbë.

Mitrovica e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri – Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi – u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi Lista Serbe i braktisi institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave.

Rezultatet e Listës Serbe më 2021 dhe 2025

Në Kosovë janë dhjetë komuna me shumicë serbe: Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Parteshi, Ranillugu dhe Kllokoti në jug, dhe Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku në veri.

Lista Serbe ka fituar bindshëm në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë që nga themelimi i saj në vitin 2013.

Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e 12 tetorit, 2025, por në shumicën e komunave u shënua një rënie e mbështetjes për të, krahasuar me vitin 2021.

-Leposaviq: Rreth 70% më 2025; 97% më 2021

-Zubin Potok: Rreth 70% më 2025; 83% më 2021

-Zveçan: 86% më 2025; 98% më 2021

-Graçanicë: 62% më 2025; 77% më 2021

-Ranillug: 71% më 2025; 100% më 2021

-Novobërdë: 63% më 2025; 62% 2021

-Shtërpcë: 59% më 2025; 59% më 2021

-Partesh: 89% më 2025; 75% më 2021

-Kllokot: Zgjedhjet shkojnë në rund të dytë.

Në Graçanicë, për herë të parë mori pjesë edhe një kandidat nga komuniteti shqiptar, i mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare – gjë që ndikoi pjesërisht në rezultatin e Listës Serbe.

Politikologu nga Beogradi, Ognjen Gogiç, thotë për Radion Evropa e Lirë se në zgjedhjet lokale të së dielës, serbët në Kosovë kishin alternativa ndaj Listës Serbe në të gjitha komunat – ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore.

Kjo, sipas tij, ndikoi disi në rënien e mbështetjes për të.

Si alternativë ndaj Listës Serbe në komunat me shumicë serbe në këto zgjedhje ishin: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiçit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviçit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca e Kosovës e Goran Marinkoviçit, si dhe disa iniciativa qytetare.

“Kanë dalë kandidatë të rinj… Nëse nuk do të kishte rënie të mbështetjes për Listën Serbe, nuk do të kishte vota për partitë tjera. Vetë fakti që kanë dalë grupe të reja, tregon se ka mendime të reja, disponim të ri, nevojë për një alternativë”, thotë Gogiç.

Ai shton se mbështetja për Listën Serbe në Kosovë nuk mund të interpretohet kurrë si mbështetje për korrektësinë e politikave të saj, por më tepër si nevojë që serbët të ruajnë pushtetin në komunat ku përbëjnë shumicën, por edhe marrëdhëniet e tyre me Beogradin.

Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi shumicën e këshilltarëve në kuvendet komunale, por vende këshilltarësh siguruan edhe partitë e tjera.

Në një bisedë telefonike të dielën me zyrtarë të kësaj partie, e cila u formua me mbështetjen e tij, Vuçiç tha: “Ia dolëm, ata nuk mund të heqin emrin dhe mbiemrin serb”.

Më pas, në një konferencë për media, Lista Serbe e falënderoi Vuçiçin për mbështetjen e dhënë.

Janjiç vlerëson se mesazhi i Vuçiçit ishte, në fakt, se ai ka fituar në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dhe se ky është një sinjal për komunitetin ndërkombëtar se mund të llogarisë tek ai.

“A është e vërtetë kjo? Përkohësisht po. Në këtë pikë, Vuçiq duhet të merret me normalizimin e marrëdhënieve [me Kosovën], për të zgjeruar sundimin e tij në Serbi. Ai ka nevojë për këtë kartë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë ai.

Gogiç vë në dukje se Vuçiç shpalli i pari rezultatet e Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke shtuar se ky veprim është i drejtuar kryesisht për publikun e brendshëm në Serbi.

“Ai duhet të tregojë se po fiton diku. Kemi protestat e studentëve, sanksionet ndaj NIS-it [Industrisë së Naftës së Serbisë]… dhe e ka të nevojshme të tregojë se politika e tij po jep rezultate”, thotë Gogiç.

Duke folur për Televizionin serb Pink, ai tha se rëndësia e fitores së Listës Serbe është më e madhe, sepse përfaqëson “kthimin e serbëve në komunat e tyre në veri të Kosovës”.

Përndryshe, Beogradi zyrtar e mbështeti vendimin e Listës Serbe për t’u larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e kërkoi kthimin e tyre në shtator të vitit 2024.


Shtuar 13.10.2025 21:20