Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në një takim të mbajtur të enjten. Në këtë takim, diskutimet përfshinë disa çështje, duke përfshirë edhe Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ka ndaluar përdorimin e dinarit serb.
Sipas Presidencës, Osmani e Hovenier fokus të veçantë i kanë dhënë propozimeve të cilat ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e kësaj rregulloreje.
“Duke diskutuar për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, Presidentja Osmani ripotencoi mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për sovranitetin, kushtetueshmërinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.
Në mes tjerash, në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin për sa i përket agjendës ndërkombëtare në muajt në vijim si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.