“Situata është delikate”, LVV kundër dy komisioneve hetimore për rrymën, opozita: S’ka kuptim të vazhdojmë kështu

Pushteti dhe opozita vazhdojnë të mos pajtohen në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.

Sot në Kuvend kjo çështje u ngrit si temë e parë nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili kërkoi të vazhdojë seanca dhe të themelohet komisioni i propozuar prej tyre.

“Ta konsitutojmë themelimin e Komisionit Hetimor sepse në të kundërtën nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojmë me një normalitet parlamentar kur mohohet një e drejtë fundamentale e opozitës për ta ushtruar funksionin si opozitë”, tha Tahiri.

“Ne duhet të shkelim mbi dispozitat e ligjit”, tha kryetarja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari, duke folur për mundësinë e formimit të këtij komisioni.

Ajo tha se janë kundër themelimit të dy komisioneve hetimore parlamentare.

“Dhe natyrisht që jemi kundër themelimit të dy komisioneve hetimore parlamentare, për arsye se dy komisione për të njëjtën çështje – me angazhim të deputetëve 11 në njërin e 11 në tjetrin, me kërkesa dhe ftesa të anëtarëve dhe udhëheqësve të institucioneve në njërin dhe tjetrin – e bëjmë krejt lëmsh dhe dalim qesharak”, tha Kusari.

Ajo propozoi të gjendet një modalitet që “i jep kahje kësaj çështjeje”.

“Por mos të përdoret bllokada e opozitës, me u kriju bindja që këtu dikush po do me fshehë diçka”, tha ajo.

Për shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashin, “situata është delikate”.

Gashi tha se pushteti kësisoj po e rrezikon demokracinë, pasi po pamundësohet vendimmarrja në Kuvend.

“Mendoj se mënyra e sjelljes së pushtetit po e paaftëson vendimmarrjen në Kuvend”, tha ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se është e paarsyeshme kundërshtimi i pozitës për formimin e komisionit të propozuar nga opozita.

“AAK-ja e mbështet kërkesën e opozitës për komisionin hetimor. Jemi, po e quaj, të mërzitur me faktin që pozita e kundërshton komisionin hetimor me komision hetimor, diçka që s’ka ndodhur deri më sot. Nuk e shohim të arsyeshme një sjellje të tillë të pushtetit, në këtë rast të Qeverisë”, tha Haradinaj./express