Çdo mbrëmje, Flora Rrecaj shkon në parkun e madh me gjelbërim dhe lodra, që ndodhet në qendër të Skenderajt.
Të lidhura
None found
Aty prej disa vitesh është vendosur busti i babait të saj, Idriz Rrecajt, i cili rezulton i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.
Idriz Rrecaj, i nderuar në vitin 2019 me titullin “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik. Ai u zhduk bashkë me 22 shqiptarë të tjerë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, në periudhën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte përshkallëzuar.
Flora Rrecaj në parkun që mban emrin dhe bustin e Idriz Rrecajt, babait të saj të zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999.

“Babai im nuk ka qenë vetëm prindi ynë… Ka qenë intelektual i shquar. Babai im ka qenë patriot. Ka qenë një person që krejt jetën e tij ia ka kushtuar këtij vendi dhe këtyre njerëzve”, i tha Flora Rrecaj Radios Evropa e Lirë.
Pa një varr ku familja e saj prej tetë anëtarësh të mund të kryente nderimet, parku në këtë qytet veriperëndimor të Kosovës është kthyer në të vetmin vend ku ajo ndien praninë e të atit dhe e përkujton atë.
Për 27 vjet, që prej zhdukjes së Idriz Rrecajt, Flora dhe pjesëtarët e tjerë të familjes e kanë kërkuar emrin e tij në listat e burgjeve në Serbi, në dëshmi, në informacione të pakonfirmuara dhe në zona ku janë zbuluar herë pas here mbetje mortore.
Tashmë, përveç parkut dhe bustit në Skenderaj, familja e saj ka edhe një tjetër pikë referimi: Zubin Potokun, komunë në veri të Kosovës, rreth 1 orë larg Skenderajt.
Në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, të banuara kryesisht nga serbë, autoritetet zbuluan së fundi varreza masive.
Fëmijët e Idriz Rrecajt pranë zonës së gërmimeve, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të babait të tyre të zhdukur.

Dyshimi i parë i autoriteteve është se mbetjet e nxjerra mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur, mes tyre edhe Idriz Rrecajt. Procesi i zhvarrimit përfundoi më 21 gusht.
Megjithatë, Kalludra e Vogël ishte përmendur edhe më herët në lidhje me këtë rast.
Fondit për të Drejtën Humanitare i rezulton se më 7 shkurt 2023, një dëshmitar serb u kishte përcjellë UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe Policisë së Kosovës të dhëna për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe fshehjen e trupave të tyre në luginën e këtij fshati.
Kaluan më shumë se dy dekada deri sa kërkimet të përfundonin te varreza masive.
Idriz Rrecaj, i zhdukur gjatë luftës së fundit, në qendër të fotografisë me vajzat e tij, Florën dhe Valbonën. Fotografia është realizuar rreth vitit 1997.

“Përveç atij që e ka një familjar, apo një të afërm të zhdukur, askush nuk mund ta përshkruajë këtë dhimbje, dëshpërim dhe pritje. Shumë shpesh jemi ndier të zhgënjyer, dhe të është dukur se askush nuk po bën asgjë. Nuk dua ta fajësoj askënd, apo t’ia drejtoj gishtin askujt, por e them me të drejtën e botës se ndoshta nuk është punuar sa duhet për këta njerëz”, u shpreh Rrecaj.
Sipas saj, pritja për një përgjigje përfundimtare mbart njëkohësisht shpresën se gjithçka mund të marrë fund dhe frikën se analizat e ADN-së mund të dëshmojnë se Idriz Rrecaj nuk ndodhet mes mbetjeve të zbuluara.
“Ta them troç, janë ndjenja të përziera. Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, tha ajo.
Nga zbulimi i varrit te identifikimi: Proces që mund të zgjasë muaj ose vite
Institucionet theksojnë se gjetja dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore përbëjnë vetëm fillimin e një procedure që mund të kërkojë muaj dhe, në rastet më të ndërlikuara, edhe vite.
Edhe para ndërhyrjes së fundit, autoritetet kishin kërkuar në zonën e Kalludrës së Vogël dhe Jabukës për të gjetur varrezën masive.
Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar kosovar për Persona të Zhdukur, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimet e mëparshme kishin qenë pranë zonës së varreve, por nuk kishin identifikuar vendin e saktë.
Zona e gërmimeve të varrit masiv në Zubin Potok.

Sipas Limanit, informacionet e siguruara nga Policia e Kosovës dhe arrestimi i tre të dyshuarve për përfshirje në krim ndihmuan në përcaktimin e tri lokacioneve të sakta, ku më pas u gjetën mbetjet mortore.
Edhe pas zbulimit të një varreze masive, kalimi nga eshtrat te identiteti i viktimave kërkon angazhimin e disa institucioneve dhe zhvillimin e një sërë etapash hetimore e shkencore.
Policia fillimisht e rrethon dhe e shenjëzon vendin. Më pas njoftohet Prokuroria Speciale, e cila i drejtohet gjykatës për autorizim për gërmime. Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore kryejnë zhvarrimin, ekzaminojnë mbetjet, regjistrojnë gjendjen e tyre dhe marrin mostra nga eshtrat.
Mostrat dërgohen në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, në Hagë të Holandës. Atje, profili i ADN-së së mbetjeve mortore krahasohet me profilet referuese të marra nga familjarët e personave të zhdukur.
“Pa analizën e ADN-së, dhe pa përputhjen e mostrave të mbetjeve eshtërore me mostrat e gjakut, nuk mund të thuhet me siguri 100 për qind [se kujt i përkasin]”, tha Limani.
Ai shpjegon se në rastin e Zubin Potokut, numri i mbetjeve, vendndodhja e tyre dhe dëshmitë e mbledhura kanë forcuar dyshimet se ato mund të jenë të “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
“Rrethanat dhe dëshmitë përputhen me mbetjet mortore”, tha Limani.
Në zonën e gërmuar në Zubin Potok u zbuluan mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Samira Krehiq, udhëheqëse e ICMP-së për Ballkanin Perëndimor, thekson se identiteti i viktimave nuk mund të përcaktohet vetëm nga numri i mbetjeve, vendi ku u gjetën apo informacionet mbi mënyrën e zhdukjes.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo tha se ICMP-ja e lëshon raportin e përputhjes vetëm kur lidhja mes ADN-së së mbetjeve dhe mostrave të familjarëve arrin një nivel sigurie mbi 99.95 për qind.
“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave të gjetura, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, theksoi Krehiq.
Institucionet nuk japin një afat të përcaktuar për përfundimin e kësaj procedure.
Kohëzgjatja ndikohet nga gjendja e mbetjeve, dëmtimi i ADN-së për shkak të kohës dhe mjedisit, fragmentimi ose përzierja e eshtrave, cilësia e mostrave dhe fakti nëse ICMP-ja disponon mjaftueshëm mostra referuese nga familjarët.
ICMP-ja bën të ditur se në raste të caktuara analizat mund të përsëriten ose mund të nevojitet marrja e një mostre tjetër nga eshtrat. Nëse familja nuk ka dhënë mostra të mjaftueshme, identifikimi mund të mbetet i papërfunduar deri në sigurimin e një mostre nga një i afërm tjetër.
Për Lutfije Ademi Vokshin, koha që kalon nga gjetja e eshtrave deri te konfirmimi i emrit është vetëm vazhdim i pritjes së nisur në vitin 1999.

Vëllai i saj, kirurgu Adem Ademi, ishte mes 23 personave të zhdukur. Për afro tri dekada, ajo nuk e kishte humbur plotësisht besimin se ai mund të ndodhej diku pranë fshatit Drenë të Zubin Potokut.
Lutfije Ademi Vokshi gjatë vizitës në zonën e gërmimeve të varrit masiv, ku dyshohet se ndodhen edhe mbetjet mortore të vëllait të saj të zhdukur, Adem Ademit.
Kur mbetjet u gjetën në Kalludër të Vogël, rreth tre kilometra e gjysmë larg Drenës në vijë ajrore, Vokshi tregon se nuk kishte mundur të nxirrte asnjë fjalë dhe se vetëm kishte qarë.
Në një intervistë të mëparshme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte thënë se shpresonte të kishte më në fund një varr ku, për festa, ditëlindje apo Bajram, të vendoste lule dhe “të shkonte të fliste” me të vëllanë.
Megjithatë, derisa të dalin rezultatet e analizave, ajo pranon se Adem Ademi mund të mos jetë mes mbetjeve të gjetura.
Për familjet që kanë pritur prej 27 vjetësh, çdo shtyrje e mëtejshme nënkupton zgjatje të një ankthi që Agron Limani e përshkruan si “torturues”.
Limani e njeh nga afër këtë përvojë. Ai është nga Krusha e Vogël e Komunës së Prizrenit, ku mbi 60 persona vijojnë të figurojnë të zhdukur. Në mesin e tyre janë edhe tre familjarë të tij.
“Kemi pasur raste kur familjarët kanë thënë: ‘Dua ta kem së paku një gisht, një kockë të gishtit, ta varros dhe ta di ku e kam varrin e djalit, bashkëshortit apo vëllait. Ta di që, në çdo përvjetor apo festë, mund t’i respektojmë dhe t’i nderojmë”, tha ai.

Agron Limani, kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur në Kosovë.
Pas përfundimit të luftës, shumë familje, sipas Limanit, vazhdonin të besonin se të afërmit e zhdukur mund të ishin ende gjallë. Me kalimin e viteve, kjo shpresë u shndërrua në një pritje edhe më të dhimbshme: të gjendeshin të paktën eshtrat e tyre.
“Kur kjo pritje zgjat, ajo është torturuese për familjarët”, tha Limani.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i 1.577 personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Në total, janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës.
Kosova i ka kërkuar vazhdimisht Serbisë bashkëpunim për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, si dhe qasje në arkivat ushtarake, të cilat, sipas autoriteteve, mund të ndihmojnë në gjetjen e lokacioneve ku mund të ndodhen varre të tjera.
