MPJD i jep vërejtje kompanisë për vonesat në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kohëve të fundit është përballur me vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve nëpër konsullatat e Kosovës nëpër Europë.

Problemi është shfaqur me kompaninë e cila ka fituar tenderin për të kryer këtë shërbim, në ndërkohë MPJD i ka shqiptuar vërejtje asaj, duke e paralajmëruar edhe për shkëputje të kontratës.

Të pyetur nga Albeu.com, MPJD e Kosovës ka bërë të ditur se menjëherë pas shfaqjes së problemit është shqiptuar vërejtja për kompaninë e kontraktuar.

“Referuar pyetjeve Tuaja përkitazi me mosarritjen në kohë të postës diplomatike/respektivisht pasaportave të Republikës së Kosovës në disa Misione Diplomatike/Konsullore jashtë vendit, nga Operatori Ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ju njoftojmë së menjëherë, konform mundësive të parapara ligjore, MPJD i ka shqiptuar vërejtje Operatorit Ekonomik si dhe duke e paralajmëruar se mos respektimi i afateve pason me masa të parapara me ligj, deri në shkëputje të kontratës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës informon shtetasit e Republikës së Kosovës në mërgatë se do të evitojë çdo vonesë të tillë, aq me tepër në një kohë kur ata kanë planifikuar pushimet e tyre verore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ALbeu.com.

Kontrata në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe kompanisë “A.L. Dushi” është nënshkruar me datë 14.06.2024 dhe vlen për 36 muaj. Vlera e parashikuar e kontratës është 250 mijë euro, ndërsa kontratë kornizë – me çmim për njësi.

Sipas kontratës së nënshkruar, kompania për në Evropë ka afat që të dorëzojë dërgesën nga 24 deri në 48 orë, nga marrja e saj. Ndërsa për në SHBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë afati për dorëzimin e dërgesës nga marrja e saj është 36 deri në 72 orë.

Qytetarë të shumtë kishin shprehur ankesa per vonesat e mëdha në marrjen e pasaporteve si rezultat i kapaciteteve të pakta ose problemeve të tjera logjistike nga kompania fituese e tenderit, “A.L. Dushi”. /albeu.com


Shtuar 16.07.2024 13:45