Në një intervistë për “Bota sot”, studiuesi dhe profesori Dr. Gurakuç Kuçi ka trajtuar vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke u ndalur te rreziqet e përsëritjes së trazirave të vitit 2004 dhe skenarët që, sipas mendimit të tij, synojnë dobësimin, fragmentimin dhe shpërbërjen e shtetit kosovar.
Të lidhura
None found
Ai ka shprehur shqetësimin se reagimet e qytetarëve pas shpalljes së dënimeve mund të instrumentalizohen për të nxitur përplasje ndëretnike, duke theksuar se Kosova duhet të ruajë gjakftohtësinë dhe kohezionin shoqëror.

Duke iu referuar ngjarjeve të marsit 2004, profesori vlerëson se ato trazira u orkestruan nga Serbia për të manipuluar zemërimin popullor dhe për të krijuar një realitet të ri politik në Kosovë. Sipas tij, Serbia inicioi dhe shfrytëzoi revoltën për të avancuar projektin e kantonizimit të territorit.
Ai e sheh datën 16 shtator 2026 si një rast të dytë potencial për një “Mars të dytë”, me qëllim minimin, ndarjen dhe shfuqizimin e shtetit të Kosovës, duke njollosur njëkohësisht luftën e UÇK-së, vetë shtetin dhe shqiptarët si elementë me synime kundër komunitetit serb.
Profesori thekson se zhvillimet pas aktgjykimit duhen analizuar edhe përmes prizmit të rrezikut për sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Ai paralajmëron se zemërimi i qytetarëve mund të manipulohet dhe të devijohet drejt tensioneve ndëretnike.
Sipas Kuçit, planet për copëtimin dhe zhbërjen e shtetit shfaqen të llogaritura duke marrë parasysh edhe revoltën e pritshme popullore. Një reagim i çastit, i nxitur dhe i manipuluar emocionalisht sipas modelit të trazirave të marsit 2004, do të ishte skenari më fatal kundër Kosovës.
Ai shton se një incident ndëretnik do ta zhvendoste vëmendjen nga aktgjykimi i Hagës dhe çështja e drejtësisë, drejt një debati tjetër rreth sigurisë së komunitetit serb dhe trashëgimisë ortodokse në Kosovë. Rreziku konsistonte në shfrytëzimin e revoltës për të provokuar përplasje në zonat me shumicë serbe ose pranë objekteve të Kishës Ortodokse, me viktima dhe një krizë të ndërkombëtarizuar menjëherë. Një skenar i tillë do ta shpërqendronte debatin nga padrejtësia e Hagës te pyetja nëse Kosova është e aftë të mbrojë serbët dhe trashëgiminë ortodokse.
Pasojat politike të këtij skenari do të ishin të rënda për Kosovën. Pikërisht ky lloj i pasojës, pas marsit 2004, ushqeu planet për decentralizim etnik, autonomi, ndarje dhe më pas shpërbërje të shtetit.
Lidhur me zhvillimet para shpalljes së vendimit, Kuçi ngre pikëpyetje rreth deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe informacioneve që qarkullonin në nivele politike e diplomatike. Ai rikujton se qysh më 3 shtator, trembëdhjetë ditë para aktgjykimit, Vuçiq shprehu shqetësim për protesta në Kosovë dhe paralajmëroi dhunë nëse Hashim Thaçi nuk lirohej. Më 12 shtator, Vuçiq zbuloi se shërbimet serbe fillimisht kishin informuar se Thaçi do të merrte një dënim që përafërsisht mbulonte kohën e paraburgimit.
Më pas, duke iu referuar kontakteve në Paris me liderë evropianë dhe botërorë, ai tha se kishte marrë “indikacione të tjera” për një dënim të rëndë. Takimi i Vuçiqit me Emmanuel Macron më 9 shtator është i dokumentuar nga Presidenca e Serbisë. Kjo, sipas profesorit, ngre pyetjen se çfarë informacioni për një vendim ende të pashpallur qarkullonte në rrethe politike dhe diplomatike.
Lidhur me origjinën e procesit që çoi te raporti i Dick Martyt dhe te Dhomat e Specializuara, Kuçi kujton se mocioni i 15 prillit 2008 u iniciua nga Konstantin Kosachev i Rusisë. Ndër nënshkruesit ishin Milosh Aligrudiq nga Serbia dhe Mikhail Margelov nga Rusia, krahas parlamentarëve nga vende të tjera. Serbia dhe Rusia më pas vazhduan ta promovojnë ndërkombëtarisht çështjen; në prill 2011 Serbia kërkoi një mekanizëm hetues nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit, dhe më 23 qershor Rusia qarkulloi në emër të Serbisë një projekt-rezolutë për krijimin e këtij mekanizmi. Rusia mbështeti kërkesën serbe edhe në diskutimet e mëvonshme në Këshillin e Sigurimit.
Profesori vë në dukje edhe të kaluarën institucionale të gjyqtarit kryesues Charles Smith. Sipas biografisë zyrtare të Dhomave të Specializuara, ai ka qenë gjyqtar i EULEX-it nga 2010 deri më 2013, anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më pas nënkryetar e kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it. Këto elemente, sipas Kuçit, krijojnë një konvergjencë që meriton hetim: origjina politike e çështjes, interesi afatgjatë i Serbisë dhe Rusisë, informacionet paraprake të Vuçiqit, historia e gjyqtarit kryesues dhe një kontekst ku Perëndimi kërkon ta mbajë Serbinë sa më larg orbitës ruse.
Kuçi thekson se reagimet ndaj aktgjykimit duhet të mbeten brenda protestës politike dhe rrugëve institucionale. Nëse zemërimi mbetet protestë, kemi një krizë besimi dhe drejtësie, por nëse transformohet në dhunë kundër serbëve ose kishave ortodokse, kemi një krizë sigurie që mund të përdoret për të rikthyer argumentin se Kosova nuk mund të funksionojë si shoqëri multietnike dhe se duhet një zgjidhje tjetër. Ky model, sipas tij, u pa në marsin 2004, dhe pyetja sot nuk është vetëm çfarë vendosi Haga, por çfarë skenarësh mund të ishin kalkuluar me atë vendim.
Ai shton se nëse planet kanë dështuar, aktgjykimi mund të ndryshohet në apel, prandaj është thelbësore mbështetja juridike për ish-udhëheqësit e UÇK-së. Kuçi propozon që Oda e Avokatëve të Kosovës të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes së mbrojtjes në Hagë përmes një ekipi të specializuar për analizimin e aktgjykimit, evidentimin e gabimeve ligjore dhe faktike, kërkimin e jurisprudencës, shqyrtimin e provave të reja dhe simulimin e seancave të apelit.
Sipas tij, mund të kërkohet edhe statusi amicus curiae, pasi Rregulla 67 e Rregullores së Procedurës dhe Provave lejon që një organizatë ose person të paraqesë vërejtje si amicus curiae, ndërkohë që drejtimin procedural e ruan ekipi mbrojtës në Hagë.
