Pas vendimit dënues ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka hartuar një platformë të re veprimi. Lajmin e bëri të ditur nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi.
Të lidhura
None found
Sipas tij, platforma synon që reagimi ndaj aktgjykimit të shndërrohet në një angazhim të organizuar, profesional dhe afatgjatë nga ana e organizatës.
Ndër objektivat kryesore janë mbështetja e ekipeve mbrojtëse në Apel, mbikëqyrja e të drejtave të personave të dënuar, nisja e debatit institucional për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, kërkimi i përgjegjësisë politike, zhvillimi i presionit qytetar paqësor, forcimi i angazhimit ndërkombëtar dhe dokumentimi i historisë së UÇK-së.
Për zbatimin e këtyre synimeve, OVL-UÇK planifikon të krijojë një Këshill Koordinues të Veprimit, i cili do të funksionojë nën përgjegjësinë e Kryesisë së organizatës. Një nga strukturat e para që do të ngrihet është ekipi juridik për mbrojtjen.
Ekipi juridik do të shqyrtojë aktgjykimin, çështjet që lidhen me Apelin, standardin e provës dhe garancitë procedurale. Po ashtu, do të hartojë një Memorandum Juridik për amendamentimin ose shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053, duke përfshirë analizën e nenit 162 të Kushtetutës dhe pasojat e secilës alternativë.
Në bashkëpunim me ekipet mbrojtëse, kur kjo të kërkohet, ky ekip do të sigurojë hulumtime, ekspertizë dhe dokumentacion shtesë.
Platforma do të përfshijë edhe ekipin institucional për veprim qytetar, ekipin për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diasporë, si dhe ekipin për dokumentim, histori dhe komunikim.
Fatmir Sopi tha se një nga kërkesat kryesore të OVL-UÇK-së është zhvillimi i një debati të posaçëm parlamentar, të shoqëruar me shqyrtim juridik, për ndryshimin ose shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kjo kërkesë, sipas tij, duhet të mbështetet në një Memorandum Juridik që të analizojë bazën kushtetuese, detyrimet përkatëse dhe pasojat e secilës mundësi. Në këtë proces duhet të rishqyrtohet edhe raporti mes pretendimeve që çuan në krijimin e mekanizmit, përfshirë trafikimin e organeve, mandatit të gjerë të Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve e proceseve.
Platforma parashikon gjithashtu mbështetje të efektshme për mbrojtjen në Apel, duke përfshirë avokatë, ekspertë, hetues, analiza provash, përkthime dhe ekspertiza të specializuara, në përputhje me kornizën ligjore. Çdo kufizim që pretendohet se dëmton efektivitetin e mbrojtjes duhet të dokumentohet dhe t’u përcillet institucioneve përkatëse.
Fondi i Solidaritetit mund të përdoret si ndihmë plotësuese, ndërsa përdorimi i tij duhet të shoqërohet me auditim dhe transparencë të plotë. Krahas kësaj, do të krijohet një monitorim profesional për standardin e gjykimit të drejtë, barazinë e palëve, trajtimin e provave, arsyetimin e vendimeve, paraburgimin dhe garancitë procedurale. Raportet e këtij monitorimi do të publikohen në shqip dhe anglisht dhe do t’u dërgohen institucioneve relevante.
Sopi njoftoi se strukturat e platformës duhet të themelohen brenda 30 ditëve. Gjatë kësaj periudhe pritet të nisë analiza juridike, të zyrtarizohen kërkesat drejtuar institucioneve dhe të përgatiten dosjet përkatëse.
Brenda 90 ditëve parashihet përfundimi i Memorandumit Juridik për Ligjin nr. 05/L-053, raportit të parë për Apelin dhe Dosjes Ndërkombëtare. Ndërkaq, brenda gjashtë muajve duhet të jenë funksionale struktura e monitorimit profesional, rrjeti ndërkombëtar dhe i diasporës, si dhe Arkivi i UÇK-së.
Çdo ekip do të ketë drejtuesin, përgjegjësitë, afatet dhe rezultatet e përcaktuara. Këshilli Koordinues i Veprimit duhet të raportojë çdo 30 ditë për aktivitetet e zhvilluara, përgjegjësitë, takimet, shpenzimet dhe rezultatet e arritura.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së theksoi se organizata nuk duhet të kufizohet vetëm në reagime, por të organizojë veprimtarinë, të dokumentojë çështjet dhe të ndërmarrë hapa konkretë.
