Flota ekzotike e Policisë së Dubait është zgjeruar me një Ferrari 812 Superfast të modifikuar nga kompania gjermane Mansory, i cili zhvillon 800 kuaj fuqi.
Të lidhura
None found
Supermakina u prezantua në Arabian Travel Market 2026, duke shënuar bashkëpunimin e pestë ndërmjet Dubai Police dhe Mansory brenda vetëm dy vjetësh.
Automjeti do të shihet në patrullim në disa prej pikave turistike më të vizituara të qytetit, mes tyre Burj Khalifa, Sheikh Mohammed bin Rashid Boulevard dhe JBR, transmeton Telegrafi.
Qëllimi i tij, megjithatë, nuk është përdorimi në ndjekje policore. Policia e Dubait e ka përfshirë Ferrarin në flotën që shërben kryesisht për promovimin e qytetit dhe tërheqjen e turistëve në zonat më të njohura.
Në konfigurimin standard, Ferrari 812 Superfast pajiset me motor atmosferik V12 prej 6.5 litrash, që prodhon 789 kuaj fuqi. Modeli përshpejton nga 0 në 100 km/h në 2.9 sekonda dhe arrin shpejtësi maksimale prej 340 km/h.
Pas ndërhyrjes së Mansory, fuqia është rritur në 800 kuaj fuqi, koha e përshpejtimit nga 0 në 100 km/h është ulur në 2.8 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale shkon në rreth 345 km/h.
Modifikimet përfshijnë edhe një paketë të re aerodinamike, me parakolp të ndryshuar, splitter më të thellë, pragje anësore të ridizajnuara dhe një spoiler të madh në pjesën e pasme.
Ferrari ka karroceri të bardhë, të kombinuar me elemente jeshile, të zeza dhe të verdha, një paraqitje që e bën atë lehtësisht të dallueshëm në rrugët e Dubait.
Prodhimi i Ferrari 812 Superfast zgjati nga viti 2017 deri më 2024. Më pas, rolin e modelit kryesor V12 të Ferrarit e mori 12Cilindri.
Me shtimin e këtij modeli, Dubai Police vijon traditën e automjeteve luksoze dhe të rralla në flotën e saj, ku bëjnë pjesë edhe Mercedes-AMG G 63, Rolls-Royce Cullinan, Ferrari 296 GT dhe Lamborghini Revuelto.
Në Dubai, këto automjete nuk shërbejnë vetëm si makina policie, por edhe si atraksione turistike dhe mjete promovuese për qytetin. /Telegrafi/
