Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë realizuar qitje me mortaja në një zonë stërvitore ushtarake në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi sot se në këtë stërvitje u përdorën mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra, si pjesë e trajnimeve për artileri dhe zjarr indirekt.
Aktiviteti u mbajt në poligonin e armëve të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, në kuadër të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Maqedonci deklaroi se gjatë realizimit të qitjeve, ushtarakët e FSK-së shfaqën nivel të lartë profesionalizmi dhe disipline, si dhe respektuan standardet e kërkuara.
Sipas ministrit, aktivitetet e përbashkëta stërvitore po kontribuojnë në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai vuri në dukje se ushtrime të tilla ndihmojnë në zhvillimin e kapaciteteve të artilerisë dhe në ngritjen e aftësive operacionale.
Maqedonci shtoi se këto aktivitete shërbejnë gjithashtu për rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave të dy shteteve.
