Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur dyshime se marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do të çojë deri te zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.
Të lidhura
None found
Pas dakordimit të LVV-së dhe LDK-së që profesori universitar dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat i përbashkët për postin e presidentit, Rama deklaroi se ende nuk është i bindur për përfundimin e suksesshëm të procesit.
Ai tha se dëshiron formimin e institucioneve dhe vazhdimin e përparimit të vendit, por zhvillimet e dy viteve të fundit e bëjnë atë pesimist për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte zgjedhjen e kreut të shtetit.
Rama paralajmëroi se ekziston mundësia që marrëveshja të jetë edhe një strategji e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Uroj që mos të jetë kjo dhe një lojë e Albin Kurtit. Dyshoj shumë që ka me u zgjedh presidenti, për fat të keq po them. E ka treguar tash e dy vjet që nuk është i interesuar për me kriju qeveri, pra nuk është dikush që don me qeverisë, është dikush që ka tendenca autokratike po them dhe nuk e shoh, nuk jam optimist. Uroj që po, uroj që të krijojmë qeveri, uroj që të kemi president, po jam shumë pesimist në bazë të rrjedhave tash e gati dy vjet”, deklaroi Rama.
I pyetur për kandidaturën e Bekim Sejdiut, Rama u shpreh se e mbështet zgjedhjen e presidentit nëse partitë janë pajtuar dhe nëse koalicioni ka numrin e nevojshëm të votave.
“Patjetër që po, kqyri, vendit i duhet presidenti dhe nëse partitë janë pajtuar edhe i kanë votat, patjetër që po. Neve na duhen institucione, na duhet me ec përpara, pra nuk mund të ndalemi”, theksoi ai.
