Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes sekretares së Përgjithshme Vlora Çitaku, i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe ta caktojë vazhdimin e seancës më 1 shtator 2026, në orën 11:00.
Të lidhura
None found
PDK-ja thekson se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, tejkalimi i afatit kushtetues nuk e eliminon detyrimin që Kuvendi të konstituohet.
Në letrën drejtuar Deharit thuhet:
I nderuar z. Dehari,
Në funksionin tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në pajtim me Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju kërkojmë, në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të përmbushni përgjegjësinë tuaj kushtetuese dhe procedurale. Për këtë arsye, më 01 shtator 2026, në ora 11.00, duhet të thërrisni vazhdimin e seancës konstituive, në përputhje me kërkesat e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka sjellë tashmë një situatë serioze, e cila lidhet me shkeljen e Kushtetutës dhe moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit e rëndon edhe më shumë këtë gjendje.
Duhet të merrni parasysh se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese përcakton që, edhe në rast të tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Kalimi i këtij afati nuk e heq detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.
Thirrja e vazhdimit të seancës konstituive ju jep mundësinë, por njëkohësisht ju ngarkon edhe me detyrimin, që të shmangni një shkelje tjetër dhe të siguroni vijimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Ju rikujtojmë se kompetencat tuaja si kryesues i seancës konstituive sipas moshës janë të përcaktuara dhe të kufizuara nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Detyra juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk mund të vendosni, mbi bazën e vlerësimeve ose konsideratave politike, nëse dhe kur do të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit, pasi kjo nuk hyn në kompetencat tuaja.
Vlerësimet dhe negociatat politike janë përgjegjësi e forcave politike dhe mund të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të detyruar ta respektojmë.
Andaj, ju kërkojmë që, pa asnjë vonesë të mëtejshme, ta thërrisni vazhdimin e seancës konstituive më 01 shtator 2026, në ora 11.00, duke mundësuar kështu ushtrimin e mandatit kushtetues nga deputetët e zgjedhur të Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Vlora Çitaku
Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës
