Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq, se në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar skandaloze.
Të lidhura
None found
Paunoviq u emërua ministre në Qeverinë e Serbisë gjatë vitit 2025. Përpara marrjes së kësaj detyre, ajo paguhej si deputete dhe njëkohësisht si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.
Megjithatë, ky institucion me seli në Gorazhdec nuk figuron zyrtarisht si aktiv që prej vitit 2021. Radio Evropa e Lirë ka konstatuar se mbyllja e tij është bërë më 7 tetor 2021, në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë.
Duke komentuar këtë rast për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha se pagesa e Snezhana Paunoviq ngre pikëpyetje serioze rreth vazhdimit të financimit nga Serbia të strukturave paralele në Kosovë.
Sipas Shalës, vazhdimi i pagave për drejtuesit e një institucioni të mbyllur mund të jetë tregues se Beogradi ende financon mekanizma paralelë, me synimin për të ruajtur ndikimin e tij në territorin e Kosovës.
“Rasti i Snezhana Paunoviq nuk mund të trajtohet vetëm si një parregullsi administrative. Ai përbën një sinjal që shton dyshimet për mënyrën se si Serbia vijon t’i financojë strukturat e veta paralele në Kosovë, pavarësisht se ato formalisht mund të mos ekzistojnë më”, deklaroi Shala.
Ai ngriti pyetjen se sa struktura të tjera mund të vazhdojnë të marrin mjete nga buxheti serb pa pasur një funksion të përcaktuar qartë, nëse një institucion i mbyllur zyrtarisht më 2021 ka vijuar të gjenerojë paga për drejtuesit e tij.
Sipas ekspertit, kjo çështje nuk lidhet vetëm me administrimin e parave publike. Ai e konsideron atë pjesë të strategjisë shtetërore të Beogradit për mbajtjen e një ndikimi paralel brenda Kosovës.
Shala kujtoi se, përgjatë më shumë se dy dekadave, Serbia ka ngritur dhe financuar në Kosovë një rrjet të përbërë nga institucione, zyra dhe mekanizma paralelë. Autoritetet kosovare, sipas tij, kanë identifikuar një pjesë të tyre si platforma për ndikim politik, logjistik dhe operativ në veri të vendit.
“Zhvillimet e viteve të fundit, mes tyre edhe sulmet e armatosura kundër institucioneve dhe Policisë së Kosovës, kanë dëshmuar se rrjetet e krijuara dhe të përkrahura nga Beogradi nuk kanë ushtruar vetëm rol administrativ. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se persona të lidhur me strukturat paralele janë përfshirë në veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike. Këto pretendime janë pasuar nga hetime dhe masa ligjore kundër të dyshuarve”, tha ai.
Për këtë arsye, Shala vlerësoi se çështja e Paunoviqit nuk duhet trajtuar si një rast më vete, por si një shenjë e mundshme se rrjetet paralele vazhdojnë të funksionojnë.
“Në këto rrethana, financimi i vazhdueshëm i një institucioni të mbyllur nuk mund të shihet si rast i izoluar. Ai krijon dyshime se fondet publike të Serbisë mund të vazhdojnë të mbajnë aktiv një rrjet paralel, i cili nuk kufizohet te ofrimi i shërbimeve, por përdoret si mjet ndikimi politik dhe i sigurisë në Kosovë”, u shpreh eksperti.
Shala kërkoi zhvillimin e një auditimi të plotë dhe të një hetimi transparent për të gjitha fondet që Serbia vazhdon t’u ndajë strukturave të saj në Kosovë.
“Publiku ka të drejtë të informohet se cilat institucione marrin ende financim, cilët persona i menaxhojnë këto mjete dhe nëse paratë shërbejnë për nevoja civile apo për mbështetjen e mekanizmave që sfidojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Në përfundim, Shala deklaroi se transparenca për financimin e strukturave paralele duhet të jetë veprimi i parë i Serbisë, nëse ajo dëshiron të tregojë përkushtim ndaj “normalizimit të marrëdhënieve” dhe standardeve evropiane.
“Çdo euro që ndahet jashtë mekanizmave të ligjshëm dhe pa llogaridhënie vetëm sa shton mosbesimin, tensionet dhe paqëndrueshmërinë në rajon”, përfundoi ai.
