Atletico Madridi mbetet i palëkundur në qëndrimin se Julian Alvarez nuk është në shitje, duke e bërë shumë të vështirë realizimin e transferimit që Barcelona kërkon ta përfundojë gjatë kësaj vere, sipas AS.
Të lidhura
None found
Mediumi spanjoll raporton se klubi nga Madridi nuk ka lëvizur nga vendimi i marrë para Kupës së Botës dhe nuk pranon të zhvillojë negociata me Barcelonën në asnjë rrethanë.
Alvarez pritet të paraqitet më 10 gusht për fazën përgatitore, ndërsa Atletico planifikon që sulmuesi argjentinas të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit të Diego Simeones edhe sezonin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Barcelona vijon përpjekjet për 26-vjeçarin, por ka përcaktuar fundin e muajit korrik si afatin e fundit për përmbylljen e operacionit. Drejtuesit katalunas nuk synojnë të presin pa kufi dhe do ta mbajnë gjallë interesimin vetëm nëse lojtari ndërmerr hapa konkretë.
Edhe pse Julian Alvarez e ka shprehur publikisht dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madridi, klubi nuk e ka ndryshuar pozicionin. Barcelona vlerëson se, për ta mundësuar transferimin, sulmuesit mund t’i duhet të dalë me një deklaratë tjetër publike ose ta shtojë presionin ndaj drejtuesve madrilenë.
Kontrata e Alvarez me Atletico Madridin është e vlefshme deri në vitin 2031. Klubi madrilen e ka hedhur poshtë ofertën e parë të Barcelonës dhe drejtuesit e tij vazhdojnë të theksojnë se nuk kanë ndër mend ta shesin sulmuesin argjentinas.
