Nga Thethi, kryeministri Edi Rama reagoi ndaj protestuesve që prej 52 ditësh tubohen çdo ditë në bulevardin përballë Kryeministrisë, ku kërkojnë dorëheqjen e tij dhe largimin e kastës së vjetër politike.
Në takimin me banorët e zonës, Rama i quajti protestuesit “sharlatanë”, “delirantë” dhe “ekstremistë”, ndërsa i akuzoi se janë kundër pranisë së investimeve të huaja në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Duke folur për burimet e financimit, kreu i qeverisë deklaroi se fondet sigurohen nga investimet dhe se edhe vendet me demokracitë më të zhvilluara konkurrojnë për të tërhequr sa më shumë kapital të huaj. Sipas tij, në Shqipëri shfaqen persona që kundërshtojnë investitorët e huaj dhe pyesin se kujt po i shitet vendi. Rama përmendi në këtë kontekst edhe investimet e Katarit.
Diskutimi u zhvillua teksa banorët e pyetën për Paketën e Maleve dhe për ndërhyrjet e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje në Theth. Kryeministri argumentoi se investimet sjellin zhvillim ekonomik, duke paraqitur si shembull projektin për rrugën e Dukagjinit, e cila, sipas tij, do të ndihmojë turizmin dhe zhvillimin e zonës.
Rama njoftoi se qeveria do të fillojë ndërtimin e rrugës së Dukagjinit. Ai solli në vëmendje se në të kaluarën kjo zonë përballej me mungesë infrastrukture, energjie elektrike dhe uji.
Sa i përket Paketës së Maleve, kryeministri hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një skemë që favorizon oligarkët. Ai tha se nisma synon të zgjidhë problemet e pronësisë për trashëgimtarët në zonat malore.
Kreu i qeverisë mohoi gjithashtu të ketë dhënë, gjatë vizitës së mëparshme në Theth, premtimin se ndërtimet e reja pa leje do të legalizoheshin. Sipas tij, procesi do të përfshijë vetëm objektet ekzistuese që përmbushin kushtet e përcaktuara nga ligji.
Rama deklaroi se nuk u kishte bërë thirrje banorëve të vazhdonin ndërtimet me idenë se ato do të legalizoheshin, pasi kishte folur vetëm për objektet që ekzistonin në atë kohë. Ai tha se pas vizitës së tij nisi një valë ndërtimesh të paligjshme, e cila dëmtoi zemrën e Thethit, ndërsa lëndina pranë kishës u pushtua nga objekte pa leje. Kryeministri theksoi se qeveria nuk mund ta lejonte këtë situatë.
Në takimin e zhvilluar në Theth morën pjesë ministrat Ervin Demo dhe Enea Karakaçi, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, si edhe zyrtarë vendorë.
