Pasuesi i Challandes te Kosova, dalin në skenë tre emra të mëdhenj

Federata e Futbollit të Kosovës sot i ndau rrugët me trajnerin Bernard Challandes. Zviceranit i kushtoi me largim humbja nga Gjeorgjia, por edhe rezultatet e dobëta në përgjithësi.

Tashmë shtëpia e futbollit kosovar është vënë në kërkim të trajnerit të ri. Kreu i FFK-së, Agim Ademi, zbuloi vetëm se në ditët në vazhdim mund të ketë risi sa i përket trajnerit të ri.

Sipas “Gazeta Express”, favorit për ta marrë postin e teknikut të Kosovës është trajneri gjerman, Felix Magath. 68-vjeçari Magath nuk drejton asnjë ekip për momentin, por  mund të rikthehet për “Dardanët”.

Ndërkohë, në opsion janë edhe trajneri italian Walter Zenga dhe ai brazilian, Roberto Carlos. Në ditët apo javët në vazhdim Kosova do të bëhet gjithsesi me trajner të ri, i cili do ta drejtojë ekipin në ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit 2022 ndaj Greqisë në muajin nëntor.

Aktualisht, Kosova është e fundit në Grupin B me 4 pikë të grumbulluara nga 7 ndeshje, sa i ka edhe Gjeorgjia.


Shtuar 13.10.2021 23:22