Biznismeni Behgjet Pacolli ka dalë me një reagim publik ndaj gazetarit Berat Buzhala, duke e akuzuar për shpifje, qasje tendencioze dhe tentativë për t’i cenuar figurën.
Të lidhura
None found
Sipas Pacollit, sulmet kundër tij kanë lidhje me ndërprerjen e pagesave që, siç pretendon ai, Buzhala i kishte marrë prej vitesh nga një ish-drejtor i Mabetex Holding. Ai thotë po ashtu se në të kaluarën e kishte ndihmuar Buzhalën bashkë me familjen e tij për trajtim mjekësor në Zvicër, gjë që, sipas tij, nuk e kishte bërë publike më parë.
Në përmbyllje të reagimit, Pacolli shprehet se do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën dhe paralajmëron publikimin e detajeve të tjera që lidhen me veprimtarinë e Buzhalës. Njëkohësisht, ai kritikon një pjesë të mediave, për të cilat thotë se u shërbejnë interesave të caktuara dhe jo publikut.
Reagimi i plotë i Pacollit:
Berat Buzhala,
E ndoqa dhe e dëgjova kronikën tënde për Aeroportin e Vlorës. Shpifjet që bën ti nuk përbëjnë më ndonjë befasi për mua. Këtë herë, ajo që më shtyu të flas është TENDENCIOZITETI YT DJALLËZOR, I PAMORALSHËM dhe përpjekja e paramenduar për të dëmtuar jo vetëm figurën time, por edhe veprën që e kam ndërtuar me shumë mund e para.
Kjo sjellje nuk është e rastësishme. Bëhet fjalë për një tentativë të vetëdijshme për ta larguar vëmendjen nga çështja e vërtetë – shkeljet ligjore dhe bllokimi i Aeroportit të Vlorës – dhe për ta zhvendosur debatin te një narrativë e sajuar me synimin për të më diskredituar. Kjo nuk i shërben as së vërtetës, as publikut dhe as gazetarisë. I shërben vetëm interesave të atyre që i tremben së vërtetës dhe ndoshta ndonjë kocke më shumë për ty!
Duke e ditur mënyrën si vepron ti, pas “kronikës” sate u interesova të kuptoj se çfarë qëndron pas këtij sulmi. Mora vesh se muaj më parë ty të ishin ndalur pagesat mujore që për vite me radhë të ishin bërë nga ish-drejtor i Mabetex Holding-it, i cili sot është i denoncuar për vjedhje dhe mashtrim. Nëse kjo është arsyeja e “zgjimit” tënd, atëherë publiku e ka të qartë motivin!
Por dua të të shtroj një pyetje që ka të bëjë me ndërgjegjen dhe moralin tënd;
A ke respekt për prindin tënd? A të kujtohet kur, bashkë me ty, ju solla me avion privat në Zvicër, u angazhova personalisht që t’i sigurohej trajtimi më i mirë mjekësor, ndërsa gjatë gjithë qëndrimit njerëzit e mi u kujdesën për ju në hotel me pesë yje? Pasi përfundoi trajtimi, ju ktheva sërish në Kosovë në të njëjtën mënyrë.
Këtë nuk e kam përmendur asnjëherë, sepse ndihma nuk jepet për t’u reklamuar dhe as për të kërkuar mirënjohje. Por kur dikush si TI shkel çdo normë morale, e zëvendëson mirësinë me SHPIFJE DJALLËZORE, mirënjohjen me keqbërje dhe të vërtetën me intriga e konspiracione të qëllimshme për të dëmtuar, atëherë heshtja nuk mbetet më virtyt, por do të ishte bashkëfajësi ndaj së keqes. Kur njeriu vepron pa skrupuj, pa dinjitet, pa ndjenjën më elementare të mirënjohjes dhe pa as kokrrën më të vogël të moralit, ai nuk e dëmton vetëm tjetrin; ai i tregon publikut varfërinë e karakterit dhe njerëzillëkut të vet.
Ku e ke moralin? Çfarë u thua familjarëve të tu kur e shohin këtë sjellje? Si ua arsyeton këtë fushatë të pandërprerë shpifjesh ndaj një njeriu që, kur pate nevojë, nuk të ktheu kurrë shpinën?
Ti, NJERI I KEQ, mund të vazhdosh të shpifësh bashkë me ata të llojit tënd. Mund të vazhdosh të ndërtosh kronika mbi insinuata dhe të pavërteta. Por një gjë nuk mund ta ndryshosh: njerëzit tashmë të njohin. Ata e dinë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës, mes kritikës dhe shpifjes, mes integritetit dhe interesit.
Për mua, problemi nuk je vetëm ti. Problemi qëndron te fakti se një pjesë e gazetarisë ka rënë në atë pikë sa t’u shërbejë interesave të caktuara në vend të së vërtetës. Kjo është humbja më e madhe – jo për mua, por për vetë profesionin e gazetarit.
E ti, vazhdo me shpifjet, intrigat dhe konspiracionet tua, ndërsa unë do t’u tregoj njerëzve edhe anën tjetër të medaljes: veprimet dhe prapaskenat e tua, duke nisur nga “vizitat” e tua në Hygeia e deri te ato përtej Atlantikut,
Ti more manipulues, mos harro se une çdo gjë e kam fituar me ndjersë e punë e jo me shantazhe😡😡😡
