Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me ç’rast ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë.
Në takim u theksua se zgjedhjet e 9 shkurtit janë zgjedhjet e para të rregullta që mbahen në përputhje me Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme, ndaj presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend.
Osmani nënvizoi nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.