Kosova siguroi fitoren e parë në grup, pasi triumfoi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Gjeorgjisë në transfertë, ndërsa nesër në mbrëmje do të kërkojë një tjetër sukses në përballjen me Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, në krah të trajnerit Bernard Challandes u shfaq sulmuesi i mirënjohur Milot Rashica, i cili deklaroi se atmosfera në grup është mjaft e mirë pas paraqitjes mbresëlënëse në Gjeorgji.
“Jemi në situatë krejt tjetër nga ndeshjet e kaluara. Besoj dhe shpresoj që ndeshja me Gjeorgjinë ka treguar që luajmë mirë. Shanset janë të dalim me rezultatin pozitiv nga kjo ndeshje. Besoj që gjithë e dinë që ne luajmë mirë në lojën ofensive, por në këto ndeshje vendosin detajet. Besoj dhe shpresoj ta bëjmë lojën tonë dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen, pasi edh në Gjeorgji krijuam shumë, por shënuam vetëm një gol”, deklaroi sulmuesi.
Pas tre sezonesh në Bundesligë me fanellën e Werder Bremenit, Milot Rashica u transferua këtë verë në Premier League te skuadra e Norwich, teksa në konferencë foli edhe për këtë eksperiencë të re të tij.
“Intensiteti i Premier Leagues dihet tashmë. Stërvitjet aty janë ndryshe nga Holanda e Gjermania dhe duhet një përgatitje vërtetë e madhe për të përballuar ndeshjet. Me ndeshjet që kemi bërë deri tani, jam i bindur që do të bëjmë mirë në të ardhmen me Norwich”, u shpreh Rashica.
Sulmuesi mungoi në transfertën ndaj Gjeorgjisë, për shkak të kufizimeve që ka vendosur Anglia ndaj njerëzve që udhëtojnë në këtë shtet, por pritet të luajë titullar ndaj Greqisë nesër në mbrëmje.