Ardit Zymeri është 19-vjeçari që u vra të dielën në Vushtrri.
Ai dyshohet që u vra nga B.D, po ashtu 19-vjeçar. Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Express se i dyshuari është arrestuar.
“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek. Me aktvendin të porokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë”, ka thënë Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Nëpër rrjete sociale kanë nisur të shprehen ngushëllime për familjen e viktimës. Ndërkaq, është postuar edhe fotografia e të riut.