Në sheshin Adem Jashari në Lipjan, liderët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan votën e përkrahësve të kësaj partie, duke shpalosur programin qeverisës dhe atë investues për këtë komunë.
Albin Kurti, kandidat për kryeministër, theksoi se ndër projektet e rëndësishme infrastrukturore për Lipjanin është autostrada Duhël – Shtime – Panush, e cila do të mundësojë inkuadrimin e Lipjanit në rrjetin e rrugëve të shpejta.
“Në mesin e shumë projekteve të rëndësishme infrastrukturore për Lipjanin e kemi edhe autostradën Duhël – Shtime – Panuh, e kjo është shumë e rëndësishme për inkuadrimin e Lipjanit në rrjetin e rrugëve të mira dhe të shpejta. Do ta krijojmë edhe programin e mobilitetit për studentët të cilët do të subvencionohen në varësi të distancës, pra studentët e Lipjanit do të marrin bursë për studimet e tyre në Prishtinë apo Mitrovicë”, deklaroi ai.
Kurti premtoi se do të themelohet edhe prokuroria kundër korrupsionit.
“Do ta themelojmë edhe prokurorinë e re të specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, po ashtu edhe byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetësohet këtë vit, bëhen reformat e thella në drejtësi, procesi i vetingut me qëllim që ta marrë fund jo vetëm zhvatja dhe vjedhja, por edhe posedimi i asaj që e kanë përvetësuar pa ligj”, theksoi Kurti.
Glauk Konjufca, kandidat për deputet, tha se reformat e mëdha që kanë ndodhur, kanë bërë që të rritet buxheti i Kosovës.
“Buxheti i shtetit rritet se ka fiskalizim të ekonomisë, buxheti rritet se ka luftim të korrupsionit prej doganave e deri te administrata tatimore, buxheti rritet se ka luftim të kontrabandës, buxheti rritet se ka shtim të punësimeve”, deklaroi Konjufca.
Nga ky tubim u premtua se me qeverisjen Kurti do të nxiten investimet nga diaspora dhe për çdo diplomë shkollore do të ketë një vend pune, e kjo sipas tyre do të arrihet me ndërlidhjen e arsimit profesional me tregun e punës.