Kurti kërkon mbështetjen e Scholz për anëtarësimin në BE: Në fund të vitit do aplikojmë për statusin e vendit kandidat

Në konferencën e përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ia ka bërë të qartë se në fund të këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE.

Ai tregoi se nga Gjermania ka marrë edhe mbështetjen e plotë për anëtarësim në Këshill të Europës.

“Kërkesa jonë për mbështetje për anëtarësim në Këshill të Europës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe në aspiratën tonë për aplikim në BE fund të këtij viti”.

Kurti e ka quajtur historike ardhjen e Scholz në Kosovë dhe tha se kjo po vjen në një moment vendimtar për rajonin.

Scholz më herët ka thënë se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit është se dëshiron që të promovojë procesin e anëtarësimit në BE të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të mbështesë bashkëpunimin rajonal, konkretisht Procesin e Berlinit.

Gjithashtu, Scholz ka treguar se do të diskutohet edhe për një përgjigje të përbashkët kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.