Kurti: Kosova ka qeveri pa lidhje me krimin – sikur t’i kishim prokurorët më të guximshëm e gjykatësit më punëtorë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se për herë të parë, Kosova ka Qeveri pa kurrfarë lidhje me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij, derisa sërish kritikoi prokurorët e gjyqtarët, raporton Express

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë në festën e fundvitit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Për herë të parë Kosova tani ka qeveri pa kurrfarë lidhjesh me krimin e organizuar dhe pa frikë ndaj tij. Përkundrazi, tash pra është krimi i organizuar, në veri e në jug, që tmerrohen nga qeveria: ose ikin ose dorëzohen. Eh, vetëm sikur edhe prokurorët sikur t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’I kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, tha Kurti.

Ai foli edhe për procesin e Vettingut, ku tha se reformat janë të domosdoshme.

“Në rrafshin e drejtësisë, duket se i është dhënë drita e gjelbër një reforme të rëndësishme – Vettingut. Këto reforma do të duhet disa vite që të japin rezultate, mirëpo janë të domosdoshme për të rregulluar dhe për të garantuar mirëfunksionimin e drejtësisë, që duhet të jetë një nga shtyllat e vendit tonë demokratik”, ka deklaruar Kurti.


Shtuar 29.12.2023 18:30