Blinken i fut Osmanin e Kurtin në detaje të dialogut me Serbinë, ata kishin shkuar për çështje tjera

Dje ishte takimi më i rëndësishëm i binomit Osmani – Kurti. Presidentja dhe Kryeministri ishin në Departamentin amerikan të Shtetit ku u pritën nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

Pas takimit me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, presidentja Vjosa Osmani doli para mediave bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe tregoi se i hynë në detaje çështjes së dialogut me Serbinë, duke analizuar secilën marrëveshje dhe secilin propozim të Kosovës në këtë proces. Paraprakisht, Presidenca njoftonte për çështje tjera që thuhej se do të ishin në fokus të diskutimeve. Dialogu s’u përmend fare, raporton Gazeta Express.

“Kemi diskutuar edhe për rolin jashtëzakonisht konstruktiv që Kosova po e luan aktualisht në dialogun me Serbinë, duke hyrë në detaje të secilës marrëveshje që është propozuar dhe të atyre që Kosova i ka nënshkruar, siç është udhërrëfyesi për energji, për çështjet të cilat po diskutohen tani”, tha Osmani.

Ajo tregoi se në takim u konfirmua qëndrimi i presidentit amerikan, Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken që dialogu të përqëndrohet në njohjen reciproke.

Në takim, Osmani përsëriti se “kemi pasur mundësinë që në detaje ta informojmë për qëndrimet tona, për propozimet tona, për rolin konstruktiv dhe për faktin që çdo kontribut i Republikës së Kosovës deri tani ka qenë për më shumë paqe dhe për më shumë stabilitet në të gjithë rajonin tonë”.

Kur e paralajmëroi takimin, Presidenca nuk e përmendi fare dialogun me Serbinë. Tha se në takim me Blinkenin, Osmani e Kurti do të diskutonin për disa çështje tjera që u tha se do të ishin “në fokus të diskutimeve”.

“Në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik. Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Kryeministri Kurti, pas takimit çështjen e dialogut e përmendi vetëm në fund të postimit të tij në Facebook.

“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”, shkroi ai.

Edhe në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, përmendet në fund se në takim “u diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Në deklaratën pas takimit të cilin Osmani e quajti “të shkëlqyeshëm” e Kurti “të përzemërt” dhe “shumë të dobishëm”, Blinken e theksoi punën e dialogut.

Ai përmes Twitterit tha se SHBA-të mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës si dhe dialogun me Serbinë.

“U takova sot me presidenten Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Kurti. Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ne vlerësojmë mikpritjen e Kosovës për afganët dhe mbështetjen e saj të fortë për Ukrainën”, shkroi Blinken.

Paraprakisht, Departamenti i Shtetit e lëshoi një njoftim të shkurtër pas takimit të Blinken me Osmanin dhe Kurtin. Dialogu u konsiderua çështje e rëndësishme.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH-it./Ekspress/