Kosovë, një pjesë e opozitës nuk e takon presidenten Osmani për diskutime mbi Asociacionin

Javën e kaluar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi takime me udhëheqësit e opozitës për të diskutuar rreth projekt statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga diplomatët perëndimorë.

Gjatë fjalimit të saj vjetor në parlamentin e Kosovës me 15 dhjetor, presidentja Osmani tha se është me rëndësi që të gjithë, pa dallim partiak, të ulen dhe të përgatisin komentet rreth projekt statutit.

Por, deri tani ajo është takuar vetëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimin e ka refuzuar kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ndërsa të martën dështoi siç u tha “për shkaqe protokollare” takimi me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Projekt statuti i Asociacionit që u bë publik kohët e fundit, është kritikuar nga një pjesë e opozitës e cila vlerëson se ai dëmton karakterin unitar të shtetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të mbështesë asgjë “që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit si dhe jashtë rregullimit territorial të tij”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi tha se nuk mori pjesë në takimin me presidenten meqë ishte një takim këshillues që nuk jep asnjë efekt real në çështjet për të cilat është menduar se duhet të diskutohet.

“Nuk besoj që na takon neve si liderë politikë që të lëshohemi në rolin e analistëve dhe të diskutojmë se çka është mirë dhe çka është keq, pa pasur mundësi që ta afektojmë në çfarëdo formë një rezultat ndërlidhur me çështjen e draft-statutit të Asociacionit. Ne, sot e kësaj dite, ende nuk e dimë qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës për sa i përket statutit të asociacionit. Andaj, ai është i pari që e ka edhe përgjegjësinë kushtetuese, institucionale, ligjore që të tregojë qëndrimin e tij të vërtetë e të mos krijojë paqartësi herë vet, e herë përmes zëvendëskryeministrit apo të tjerëve duke thënë se kemi pranuar se kemi pranuar”, tha ai.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj kishte vullnet të mirë për të diskutuar mbi Asociacionin, por se “presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”.

“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që atij nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradnaj se presidentja ishte akoma në takim me Kyetarin e LDK-së. Pra ajo vet e kishte caktuar orën e takimit dhe vet nuk e kishte respektuar agjendën”, tha ai.

Duke theksuar se takimi nuk është mbajtur për shkak se zot Haradinaj nuk ka dashur të presë, këshilltari për media i presidentes Osmani, tha se dera e presidencës vazhdon të mbetet e hapur për takim me zotin Haradinaj.

“Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale”, tha zoti Kupina në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti e cila nuk arriti të ulte tensionet mes palëve.

Palët u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Javën e kaluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha se projekt statuti i Asociacionit është hartuar nga miqtë e Kosovës në Evropë dhe Amerikë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duan edhe një Republikë Serbe apo çkado që ka ndikim negativ në funksionimin e shtetit të Kosovës.

Ai shprehu shqetësimin me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave rreth Asociacionit, duke theksuar se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.


Shtuar 19.12.2023 20:57