Kërcënimi i Vuçiqit për lumin Ibër alarmon Kosovën, ekspertët ndahen për shkallën e rrezikut

Mundësia që Serbia të ndërhyjë në rrjedhën e lumit Ibër ka rikthyer shqetësimet për sigurinë, furnizimin me ujë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës. Debati u nxit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se autoritetet në Beograd po shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së këtij lumi brenda territorit të Serbisë.

Të lidhura

None found

Vuçiq e ndërlidhi këtë skenar me pretendimet e tij për mënyrën se si autoritetet e Kosovës i trajtojnë serbët. Në këtë mënyrë, ai e zhvendosi çështjen e ujërave ndërkufitare nga rrafshi teknik në atë politik.

Deklarata ka nxitur pikëpyetje nëse kontrolli ose ndërhyrja në rrjedhën e Ibrit mund të përdoret nga Serbia si instrument presioni ndaj Kosovës. Një veprim i tillë mund të ndikonte në furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë, bujqësinë, mjedisin dhe sigurinë e vendit.

Ndjeshmëria e kësaj teme lidhet me peshën strategjike që kanë lumi Ibër dhe sistemi Ujman–Ibër-Lepenc për Kosovën. Ndryshimi i sasisë apo i rrjedhës së ujit do të mund të shkaktonte pasoja në disa sektorë jetikë për funksionimin e shtetit, jo vetëm në furnizimin me ujë.

Në qendër të debatit është dilema nëse paralajmërimi i presidentit serb përbën vetëm retorikë politike dhe pjesë të luftës hibride, apo duhet të trajtohet nga Kosova si rrezik konkret për sigurinë kombëtare dhe të adresohet pa vonesë në arenën ndërkombëtare.

Vëmendja është përqendruar gjithashtu te reagimi i institucioneve të Kosovës dhe i partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, në rast të ndonjë përpjekjeje për t’i shndërruar burimet ujore në mjet trysnie politike.

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota sot”, e interpretoi deklaratën e Vuçiqit si propagandë dhe si vazhdim të luftës hibride që zhvillon Serbia.

Image

Sipas Dashevcit, ideja e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit nuk mund të zbatohet për shkak të rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Ai theksoi se konventat që rregullojnë ujërat ndërkufitare nuk i lejojnë ndërhyrje të kësaj natyre.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pohuar se autoritetet serbe po analizojnë një “mundësi” që, sipas tij, është e parealizueshme. Dashevci nënvizoi se konventat ndërkombëtare për ujërat e ndalojnë një veprim të tillë, pavarësisht se Vuçiq e paraqet si ndryshim të mundshëm të rrjedhës së Ibrit në territorin serb dhe e lidh me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë.

Në vlerësimin e ekspertit, pretendimet e presidentit serb nuk përputhen me gjendjen reale në Kosovë. Ai konsideron se synimi është krijimi i presionit dhe largimi i vëmendjes nga problemet e brendshme me të cilat përballet Serbia.

Dashevci e përshkroi deklaratën si propagandë të pastër për nevojat e brendshme politike të Vuçiqit dhe si përpjekje për ta zhvendosur fokusin nga problemet e shumta që ai ka me popullin e vet në Serbi. Sipas tij, kjo është pjesë e luftës hibride dhe përbën herën e dytë që Vuçiq përmend një pretendim propagandistik pa efekt praktik dhe absolutisht të pamundur për t’u realizuar.

Për këtë arsye, Dashevci beson se mundësia që Serbia ta përdorë realisht ndryshimin e rrjedhës së Ibrit si mjet presioni ndaj Kosovës është jashtëzakonisht e vogël.

Ai tha se nuk e konsideron serioz këtë skenar dhe se, në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, rreziku është zero. Sipas Dashevcit, nuk mund të ketë pasoja nga një veprim që nuk mund të zbatohet, pasi konventa ndërkombëtare e ndalon atë në mënyrë strikte dhe zbatohet njësoj në të gjithë botën.

Megjithatë, eksperti kërkoi që Kosova të mos qëndrojë pasive në aspektin diplomatik, edhe pse ai e vlerëson të pamundur realizimin e kërcënimit.

Sipas tij, autoritetet kosovare duhet ta adresojnë menjëherë çështjen në nivel ndërkombëtar dhe të bashkërendojnë reagimin me aleatët kryesorë.

Dashevci kërkoi që Kosova ta alarmojë bashkësinë ndërkombëtare duke vënë në përdorim të gjithë kapacitetin e saj diplomatik. Ai tha se tema duhet të ngrihet pa vonesë përmes një reagimi të koordinuar me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare.

Image

Një qëndrim tjetër paraqiti Prof. Dr. Muhamet Racaj, Gjeneral-Major në pension. Ai vlerësoi se fjalët e Vuçiqit nuk duhen reduktuar në retorikë politike ose në një diskutim teknik, pasi çështja prek sigurinë kombëtare, sigurinë njerëzore dhe luftën hibride.

Racaj tha për “Bota sot” se paralajmërimi i presidentit serb për shqyrtimin e mundësisë së ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, i lidhur me pretendimet për trajtimin e serbëve në Kosovë, duhet marrë shumë seriozisht. Në këndvështrimin e tij, kjo nuk është vetëm deklaratë politike apo debat hidroteknik, por temë që duhet analizuar në kuadër të sigurisë kombëtare dhe njerëzore, si dhe të luftës hibride.

Ai nënvizoi se në marrëdhëniet ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më i qartë një parim: shekulli XXI është periudhë e konkurrencës dhe luftës për energji, ndërsa shekulli XXII mund të karakterizohet nga një garë e ashpër për ujë dhe burime të tjera jetike. Për këtë arsye, sipas Racajt, uji nuk është më vetëm pasuri natyrore, por edhe burim strategjik.

Në rastin e Kosovës, ai e konsideron shumë më të madhe nga sa mund të duket rëndësinë e Ibrit dhe, në veçanti, të sistemit Ujman–Ibër-Lepenc. Racaj iu referua një raporti të laboratorit amerikan Pacific Northëest National Laboratory (PNNL), të publikuar në vitin 2021, ku Liqeni i Gazivodës/Ujmanit vlerësohet si pjesë e rëndësishme e sigurisë ujore dhe energjetike të Kosovës.

Sipas këtij raporti, ujërat e liqenit mbulojnë rreth një të tretën e ujit të pijshëm të Kosovës. Ato shërbejnë gjithashtu për ftohjen e dy termocentraleve me qymyr, të cilat në atë periudhë siguronin rreth 95 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Racaj paralajmëroi se ndikimi i qëllimshëm i një aktori shtetëror në sasinë, cilësinë ose rrjedhën e ujit mund të shkaktojë pasoja zinxhir në furnizimin me ujë të pijshëm, bujqësi, industri, energji, shëndet publik dhe stabilitet shoqëror. Pikërisht kjo ndërvarësi, sipas tij, e bën situatën shumë më serioze.

Shqetësimin e tij ai e lidhi edhe me ngjarjet e mëparshme që kanë prekur infrastrukturën ujore të Kosovës, duke veçuar sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.

Racaj rikujtoi se një shpërthim në veri të Kosovës e dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit gjatë nëntorit të vitit 2024. Sulmi shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë dhe vuri në rrezik sistemin energjetik të vendit. Pas incidentit u forcuan masat e sigurisë, ndërsa KFOR-i ndërmori hapa për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Përgjegjësia për atë sulm vazhdoi të ishte pjesë e akuzave dhe hetimeve, kurse Beogradi mohoi çdo përfshirje. Sipas Racajt, ky kontekst e bën edhe më shqetësuese deklaratën e fundit të Vuçiqit, pasi ujin e largon nga fusha e bashkëpunimit teknik dhe e vendos në sferën e presionit politik e potencialisht të sigurisë.

Nga këndvështrimi teknik, Racaj iu referua inxhinierit hidroteknik Mumin Morina, i cili ka theksuar se rrjedha e një lumi mund të ndryshohet teknikisht nëpërmjet veprave hidroteknike. Megjithatë, mundësia teknike nuk nënkupton se një shtet ka të drejtë të veprojë sipas dëshirës, sepse në këtë pikë zbatohen normat e së drejtës ndërkombëtare.

Ai shpjegoi se Konventa e UNECE-së për ujërat ndërkufitare mbështetet në tri parime kryesore: shmangien e dëmit përtej kufirit, shfrytëzimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave, si dhe bashkëpunimin mes shteteve që përdorin të njëjtin sistem ujor.

UNECE-ja përcakton gjithashtu se ndërhyrjet që mund të pakësojnë ose ndryshojnë prurjet e ujit në shtetin që ndodhet më poshtë rrjedhës duhet të trajtohen në përputhje me këto detyrime dhe përmes konsultimeve ndërmjet palëve. Për Racajn, kjo do të thotë se uji nuk mund të shërbejë si armë politike apo si mekanizëm ndëshkimi ndaj një popullsie.

Lidhur me reagimin e Kosovës, Racaj kërkoi veprime të menjëhershme dhe të koordinuara në planin diplomatik, të sigurisë dhe strategjik. Sipas vlerësimit të tij profesional, kërcënimi duhet adresuar në tri nivele.

Në nivelin e parë, atë diplomatik, Kosova duhet ta dokumentojë menjëherë deklaratën dhe t’ua dërgojë atë zyrtarisht BE-së, SHBA-së, NATO-s, Kombeve të Bashkuara, OSBE-së dhe institucioneve përkatëse ndërkombëtare që merren me ujërat ndërkufitare. Racaj theksoi se reagimi nuk duhet shtyrë deri në momentin kur kërcënimi të kthehet në veprim konkret.

Niveli i dytë lidhet me sigurinë. Sipas tij, infrastruktura ujore duhet të klasifikohet dhe të mbrohet si infrastrukturë kritike kombëtare. Këtu përfshihen Ujmani, kanali Ibër-Lepenc, objektet e furnizimit me ujë dhe pjesët e sistemit që kanë lidhje me prodhimin e energjisë.

Racaj shtoi se mbrojtja e këtyre aseteve nuk mund të kufizohet vetëm në sigurinë fizike. Ajo duhet të përfshijë njëkohësisht dimensionin kibernetik, teknologjik dhe informativ.

Niveli i tretë është ai strategjik, ku Kosova, sipas tij, duhet të krijojë rezerva dhe alternativa. Një shtet është më pak i cenueshëm ndaj shantazhit kur furnizimi i tij nuk mbështetet në vetëm një burim. Për këtë arsye, ai kërkoi diversifikimin e burimeve ujore, rezervuarëve, sistemeve të furnizimit, kapaciteteve për emergjenca dhe lidhjeve energjetike.

Gjeneral-Majori në pension theksoi se zhvillimet duhen analizuar edhe përmes dimensionit të luftës hibride, sepse burimet jetike dhe infrastruktura kritike mund të përdoren për presion edhe pa një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake.

Sipas Racajt, konfliktet moderne nuk nisin medoemos me avionë dhe tanke. Ato mund të marrin udhë përmes një deklarate politike, një fushate dezinformimi, trysnisë ekonomike, një sulmi kibernetik, sabotimit të infrastrukturës ose manipulimit të një burimi jetik. Në këtë kuptim, shfrytëzimi i ujit si instrument presioni do të përbënte një rast tipik të luftës hibride kundër një shteti dhe shoqërie.

Megjithatë, ai bëri thirrje që të mos krijohet panik, duke vënë në dukje se një deklaratë politike nuk është e barabartë me zbatimin teknik të një projekti. Pikërisht për shkak të përmasave që mund të kenë pasojat, Racaj tha se shteti duhet të udhëhiqet nga parimi i parandalimit.

Ai propozoi që Kosova t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë krijimin e një mekanizmi të përhershëm për monitorimin dhe bashkëpunimin rreth ujërave ndërkufitare të Ibrit. Ky mekanizëm, sipas tij, duhet të sigurojë transparencë për çdo projekt të ri hidroteknik që mund të ushtrojë ndikim mbi rrjedhën e ujit.

Në përfundim të prononcimit për “Bota sot”, Prof. Dr. Muhamet Racaj tha se mesazhi duhet të jetë i prerë: Ibri nuk mund të shfrytëzohet si instrument politik dhe Ujmani nuk mund të kthehet në armë presioni kundër Kosovës.


Shtuar 13.08.2026 14:40

matbetHoliganbetJojobetholiganbetHoliganbetjojobetHoliganbetJojobetjojobetcratosroyalbetimajbetcasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortAnkara escortcasibommarsbahiscasibombetci girişHoliganbetGrandpashabetHoliganbetJojobetCasibom Giriş