Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, tha se ka informata se serbët e veriut po përgatisin shumë flamuj për të festuar nëse arrihet marrëveshja e këtij Asociacioni që është duke u dialoguar nga kryeministri Albin Kurti.
Kastrati në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se flamujt do të jenë të Serbisë, jo të Kosovës dhe sipas tij festa po përgatitet sikur për Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
“Kam informata që serbët në veri vërtetë po përgatisin flamuj, shumë flamuj dhe mijëra flamuj nëse bëhet ky lloj Asociacioni që nënkupton autonominë që Albin Kurti ia solli Kosovës. Me një festë të madhe, matanë Ibrit dhe ngritje flamujsh në Beograd por jo të Kosovës, të këtij Asociacioni, duke e barazuar me festën tonë për pavarësi në 2008-ën, që i bie njëfarë lloj shkëputje”, u shpreh Kastrati.
Ai më tej shtoi se pas kësaj marrëveshjeje ndërrojnë edhe faktet në terren, duke shtuar se pas nënshkrimit të këtij Asociacioni, diplomat e serbëve të Kosovës dhe Vulat Apostile do ta kenë vulën e shtetit serb dhe jo atë të Republikës së Kosovës.
“Dhe nëse ajo ndodh që po thua ti me i ngritë ata flamujt e Kosovës atje, në ndërkohë ndërrojnë faktet në terren. Pse ndërrojnë faktet në terren. Po shihni pra tash kompetencat për arsim, për kulturë, për ekonomi etj.etj.etj. me këtë draftin e ri janë përgjegjësi e Republikës së Kosovës dhe aty automatikisht kalojnë te shteti serb se këta thonë agjencinë private, jo karta evropiane etj etj. Të dy agjencitë që e kanë thënë në marrëveshje por në fund, Vulën Apostile, ato diploma kanë me i marrë në Serbi. Pra diploma ka me qenë me vulë të Serbisë në fund dhe në fund kur të shkojsh ti si serb i Kosovës me u punësu në Frankfurt, ti s’ki me pas diplomën tënde të universitetit privat me vulën e Republikës së Kosovës por ke me pas me vulën e Republikës së Serbisë. Andaj është shtet në veti”, u shpreh Kastrati.