Donika Kadaj-Bujupi, ish-deputete dhe ish-këshilltare e ish-presidentes Vjosa Osmani, ka vlerësuar se organizimi i sotëm në Kuvend nuk mund të konsiderohet aksion politik. Sipas saj, kundërshtimi parlamentar duhet të mbështetet në kauza të mëdha dhe jo të shndërrohet në përplasje fizike.
Të lidhura
None found
Ajo ka shpjeguar se në parlamentet e shteteve demokratike ndërmerren aksione kur opozita kundërshton vendime që prekin territorin, kufijtë, rendin kushtetues ose jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Për çështje të tjera, sipas Kadaj-Bujupit, deputetët kanë në dispozicion forma të tjera veprimi dhe komunikimi.
Duke iu referuar protestave të opozitës në Kuvend në vitet 2015 dhe 2016, ish-deputetja ka thënë se veprimet e asaj kohe erdhën si reagim ndaj një sërë vendimesh që cenonin integritetin e shtetit dhe rendin kushtetues.
Kadaj-Bujupi ka kujtuar se për ato aksione pjesëmarrësit ishin arrestuar dhe kishin vuajtur disa herë dënime me burg. Më pas, ndaj tyre kishin nisur procese gjyqësore që vazhdojnë ende, ndërsa, si pasojë, disa prej tyre nuk kanë mundur të kandidojnë në listat zgjedhore.
Ajo ka nënvizuar se, megjithëse ajo periudhë u karakterizua nga tensione, asnjë prej protestuesve parlamentarë nuk kishte prekur, shtyrë apo sulmuar fizikisht ndonjë deputet të pushtetit të atëhershëm.
Sipas saj, gazi ishte përdorur për të penguar zhvillimin e votimit në sallë, pasi objektiv i aksionit kishte qenë vota dhe jo individi. Kadaj-Bujupi ka shtuar se kauza e tyre ishte ndjekur edhe përmes rrugës institucionale, duke u dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila, sipas saj, e kishte cilësuar marrëveshjen antikushtetuese.
Ish-deputetja ka theksuar se kriteret përcaktohen nga ideja, synimi, ndjekja e procedurave institucionale dhe pranimi i përgjegjësisë përpara ligjit. Ajo ka përfunduar se aksioni politik është krejtësisht i kundërt me konfrontimin fizik dhe se ajo që u organizua sot në Kuvend nuk mund të vlerësohet sipas të njëjtit standard.
Gjatë ditës, deputetët e PDK-së dhe Aleancës i kërkuan Lëvizjes Vetëvendosje thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive. Në këtë periudhë u regjistruan disa raste shtyrjesh fizike mes deputetëve të partive ish-opozitare dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.
