Inaugurimi i Presidentit Trump: Osmani nuk shkon, dërgon delegacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve), për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari për media i Presitendes Osmani, Bekim Kupina.

Ai tha se megjithatë, duke u bazuar në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Washington D.C.

“Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili, së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar”, tha Kupina.

Më tej, ai tha se presidentja Osmani tashmë ka pasur rastin ta urojë personalisht Presidentin Trump gjatë një bisede të përmbajtjesore që zhvilluan muajin e kaluar të mbajtur në Pallatin Elysee, në Paris.

“Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta”, tha Kupina.


Shtuar 18.01.2025 21:26

Tags: ,