Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në disa pika të ndryshme të vendit, policia ka privuar nga liria 10 drejtues automjetesh të dyshuar për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, të parashikuar në nenin 297-a të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Nëntë prej shoferëve janë kapur duke drejtuar automjetin pa e kaluar provimin e vozitjes. Bëhet fjalë për A.I. (29) dhe H.Z. (18) nga Shkupi, M.I. (21) dhe Sh.A. (35) nga fshati Studeniçan, rrethina e Shkupit, R.S. (30) dhe S.M. (19) nga Tetova, A.F. (25) nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, L.M. (48) nga Gostivari dhe N.T. (49) nga fshati Pregllovë, Komuna e Plasnicës.
Ndërkohë, A.V. (33), nga Prilepi, është konstatuar duke drejtuar automjetin pavarësisht masës aktive të ndalimit për drejtimin e automjeteve motorike. Pas përfundimit të procedurave të dokumentimit, ndaj tyre do të paraqiten kallëzime penale.
MPB u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të zbatojnë rregullat dhe dispozitat në fuqi. Autoritetet theksuan se automjetet nuk duhet të drejtohen pa kaluar provimin e vozitjes, gjatë kohës kur është në fuqi masa e ndalimit të drejtimit apo nën ndikimin e alkoolit, duke kërkuar angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë në trafik.
