Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për mbledhjen e jashtëzakonshme që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar për sot në orën 15:00, ku do të shqyrtohet performanca e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufajt.
Të lidhura
None found
Sipas IKD-së, përgjegjshmëria institucionale nuk mund të shërbejë si justifikim për marrjen e vendimeve të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori. Instituti e konsideron këtë veçanërisht të ndjeshme pasi PSRK-ja po merret me raste që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe atij transnacional, përfshirë edhe bashkëpunimin me shtetet mike të Republikës së Kosovës.
IKD vlerëson se çdo reformë në sistemin prokurorial duhet të forcojë besimin e qytetarëve dhe të mbrojë pavarësinë e këtij sistemi nga çdo perceptim për ndikim politik.
Instituti i ka bërë thirrje KPK-së që, përpara se të ndërmarrë ndonjë masë ndaj Kryeprokurorit të PSRK-së, të marrë parasysh një precedent të rëndësishëm institucional. Në fund të vitit 2025, KPK e kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga detyra e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kundërshtuar. Në dhjetor 2025, Gjykata Supreme e kishte anuluar atë vendim, duke e cilësuar të kundërligjshëm.
IKD kërkon që rasti i Kelmendit të shërbejë si mësim dhe që KPK-ja të mos përsërisë praktika të nxituara në vendimmarrje.
Çdo procedurë që mund të ndikojë në pozitën ose mandatin e një kryeprokurori duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, ligjin në fuqi dhe praktikën gjyqësore, thekson IKD. Sipas institutit, vlerësimi i punës së Kryeprokurorit të PSRK-së duhet të bazohet në natyrën dhe mandatin e veçantë të kësaj prokurorie, si dhe të jetë profesional, i drejtë, objektiv, i paanshëm dhe i mbështetur në tregues të matshëm.
Njëkohësisht, ky proces duhet të respektojë pavarësinë e prokurorëve gjatë trajtimit të çështjeve individuale. IKD nënvizon se llogaridhënia nuk duhet të shndërrohet në mjet për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, ndërsa pavarësia nuk mund të përdoret për të shmangur përgjegjësinë. Të dyja këto parime, sipas institutit, duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë, transparente dhe të ekuilibruar.
IKD ka vënë në pikëpyetje urgjencën e mbajtjes së një takimi të tillë në një kohë kur ende nuk janë përmbyllur dhe shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion.
Për këtë arsye, instituti i kërkon KPK-së të garantojë një proces të drejtë dhe të pavarur, duke shmangur çdo vendim që mund të dëmtojë sigurinë juridike, funksionalitetin e PSRK-së, besimin e publikut te KPK-ja dhe perceptimin për pavarësinë e sistemit prokurorial.
