Në familjen e Oliver Ivanoviçit, i cili u vra gjashtë vjet më parë, nuk pajtohen me thënien se koha i shëron të gjitha.
Vëllai i tij, Mirosllav Ivanoviç, thotë se ai dhe familjarët e tjerë “mund t’ia lënë kohës që t’i shërojë plagët” vetëm atëherë kur vrasësit dhe organizatorët e vrasjes së Oliverit të gjenden dhe të ndëshkohen.
Deri atëherë, ai thotë se nuk do të mund të gjejë paqe shpirtërore.
“Dikush, me gjashtë të shtëna pas shpine, vendosi t’ia merrte jetën Oliverit për motive dhe interesa politike. Si familje, kemi gjashtë vjet që jetojmë me këtë. Është e vështirë ta përjetosh, ka shumë gjëra që na rikthejnë në momentet e atij krimi. Koha shëron gjithçka, por në këtë rast është shumë e vështirë”, thotë Mirosllav Ivanoviç për Radion Evropa e Lirë.
Në ditën e vrasjes së politikanit të opozitës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviç, më 16 janar të vitit 2018, Prishtina dhe Beogradi nisën hetime të ndara.
Në Prishtinë një proces gjyqësor drejt fundit dhe një aktakuzë e re
Gjashtë vjet më vonë, në Kosovë po i afrohet fundi gjykimit të bazuar në aktakuzën e tretë të plotësuar, që u ngrit në vitin 2020, megjithëse jo kundër autorit apo organizatorit, por kundër personave që dyshohet se vinin nga “grupi kriminal që mori pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit”.
Të akuzuarit janë: Nedelko Spasojeviç (zyrtar policor), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsoviç (sekretare e Oliver Ivanoviçit), Dragisha Markoviç (zyrtar policor), Zharko Jovanoviç (zyrtar policor) dhe Radeta Basara (zyrtar policor). Të gjithë ata mbrohen nga liria.
Me vrasjen janë të lidhur edhe Zhelko Bojiç (ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiç (ish-nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviç (biznesmen nga veriu i Kosovës). Ndaj tyre nuk u ngrit ndonjë akuzë, pasi janë në arrati.
Në fund të dhjetorit të vitit 2023, opinioni në Kosovë u njoftua se kundër një personi me iniciale M.M., ishte ngritur një aktakuzë tjetër, për shkak të dyshimeve se ai ishte pjesëtar i një “grupi të organizuar kriminal”, i lidhur me vrasjen e Ivanoviçit, por edhe për “pengim të procesit gjyqësor”, “kanosje” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Disa media në Kosovë raportuan së bëhet fjalë për Millan Mihajlloviçin nga Leposaviçi, me pseudonimin “Pop”, i cili pas disa muajsh në paraburgim po mbrohet nga liria.
Mirosllav Ivanoviç, njëherësh gjyqtar në pension, thotë se nuk e njeh atë emër apo inicialet e tij dhe se për të “është një fytyrë e re në gjithë këtë rrëfim”.
Çfarë u vërtetua në gjykatë?
Të pandehurit akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të kryesuar nga Zhelko Bojiq, Zvonko Vesellinoviq dhe Millan Radoiçiq nga viti 2014 deri në vitin 2018 dhe se vazhdimisht kanë tentuar ta vënë nën kontroll të tyre Mitrovicën e Veriut.
Në aktakuzë, po ashtu, thuhet se të pandehurit me vetëdije dhe me dashje e kanë ndihmuar atë grup kriminal për ta kryer veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviçit.
Nedelko Spasojeviç akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, duke i bartur autorët e atentatit me veturën zyrtare të Policisë së Kosovës në një veturë Opel Astra, nga e cila u qëllua në drejtim të Oliver Ivanoviçit.
Zharko Jovanoviç akuzohet për fshehje të provave në vendin ku është kryer vrasja, ndërsa Dragisha Markoviç akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare “duke i dhënë informacion një polici nga Serbia”.
Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Marko Roshiçin se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë duke ndjekur çdo lëvizje të Oliver Ivanovivit me automjetin e tij.
Gjithashtu, Sillvana Arsoviç akuzohet se ka qenë anëtare e grupit kriminal që ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, duke i fikur kamerat e vëzhgimit në momentin e vrasjes. Faruk Korenica, njëri nga avokatët mbrojtës, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje dhe se do të paraqiten disa prova materiale, ashtu si dhe mbrojtja e të pandehurve.
Megjithatë, ai nuk mund të thotë se kur priten deklaratat përfundimtare dhe aktgjykimi.
Sipas vlerësimit të tij, prokuroria nuk i ka vërtetuar pretendimet e saj gjatë procesit gjyqësor. Ai pret që të akuzuarit përfundimisht të lirohen.
“Ka filluar nga zeroja dhe do të përfundojë me zero. Ajo lëndë është përdorur për qëllime politike dhe nuk është mirë që dikush të kapet për shkak të saj”, thotë ai.
Avokatja Jovana Fillipoviq nuk beson se deri në fund të procesit gjyqësor do të zbulohet emri i vrasësit apo organizatorit, pasi, siç thotë ajo, “nuk kemi mësuar asgjë të re”.