Familjarët e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, kanë reaguar pas deklaratës së deputetit të kësaj partie, Arben Gashi, se deputetët kishin marrë “urdhër nga Grenelli” për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Të lidhura
None found
Familja e Imerit e ka vlerësuar deklaratën si një akuzë tepër të rëndë dhe ka kërkuar që ajo të hetohet, nëse është përcjellë saktësisht në këtë formë dhe nëse për të ekzistojnë prova.
“Bëhet fjalë për një çështje që kërkon hetim dhe përgjegjësi. Kjo është një akuzë jashtëzakonisht serioze për ndërhyrje të huaj në politikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas familjes, është e domosdoshme të ndahet qartë roli i aleatëve të Kosovës nga ai i individëve që mund të ushtrojnë ndikim mbi zhvillimet politike në vend.
“Të kesh miq në SHBA-BE është një gjë, ndërsa krejt tjetër është të marrësh ‘urdhra’ nga jashtë për të rrëzuar qeverinë e shtetit tënd”, thuhet në reagim.
Reagimi përmban edhe kritika ndaj Richard Grenellit. Familja e Haki Imerit thekson se ai nuk përfaqëson Amerikën dhe se qëndrimi i tij nuk duhet të barazohet me politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.
“Grenelli nuk është Amerika. Amerika është aleate e Kosovës. Mos i përzieni këto dy gjëra”, thuhet më tej.
Familja ka bërë gjithashtu thirrje për bashkëpunim politik ndërmjet liderëve të Kosovës, duke përmendur Albin Kurtin, Donika Gërvallën, Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.
“Kosovës i duhen politikanë që veprojnë në mënyrë të pavarur. Nëse synimi është çlirimi i vendit nga ndikimet e dëmshme, qofshin ato të brendshme apo të jashtme, Albin Kurti, Donika Gërvalla, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani duhet ta shqyrtojnë seriozisht një bashkëpunim politik, ku interesi i Kosovës vendoset përpara interesave partiake”, thuhet në deklaratë.
“Përballja me armikun e jashtëm nuk mund të bëhet duke e përçarë vendin nga brenda”, vijon reagimi.
Mesazhi përmbyllës i familjes së Haki Imerit i drejtohet kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut: “Lumir, mos lësho pe. Nëse po punon për t’ia kthyer LDK-së rugovizmin, atëherë na ke me vete.”
