El Pais: Ëndrra e Fadil Vokrrit

Në mesin e viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, sulmuesi Fadil Vokrri u nominua si lojtari më i mirë i ish-Jugosllavisë. Stadiumi kombëtar i Prishtinës, në të cilin Spanja përballet sonte me Kosovën, mban emrin e tij, pas Vokrri vdiq në moshën 57-vjeçare, si pasojë e një sulmi në zemër. Është e pamundur të ndash futbollin në Kosovë nga figura e atij që quhej “Maradona shqiptar” i Kosovës. Në pension, si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, në vitin 2016 ai arriti ta bënte atë të njihej nga FIFA e UEFA , dhe i mundësoi Kosovës pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.

“Pas ditës së shpalljes së pavarësisë, ai ka qenë momenti më i rëndësishëm për vendin tonë të ri. Babai im punoi shumë për këtë. Futbolli ishte jeta e tij dhe ai donte të promovonte vendin përmes ndeshjeve, të bënte një projekt për të rinjtë në mënyrë që ata të shpëtonin familjet e tyre”, thotë djali i tij, Gramoz Vokrri, nëpërmjet telefonit.

Babai i tij është një simbol kombëtar, akoma protagonist i përditshëm i bisedave familjare, në të cilat brezat që e panë atë të luante me numrin nëntë të Prishtinës u thonë më të vegjëlve se çdo të diel ai i bëri ata të harrojnë vështirësitë që kanë kaluar, përfshirë urinë.

“Për një ekip si Spanja, me të gjithë yjet e saj, të luash në stadiumin tonë është një ëndërr që i bën të gjithë kosovarët të lumtur”, vazhdon Gramozi.

Si futbollist, ndër të bëmat që Vokrri bëri ishte udhëheqja e Prishtinës drejt fitores në stadiumin e Beogradit kundër Cërvena Zvezdës. Ishte një arritje shumë e madhe në atë kohë për futbollin kosovar. “Mendoj se njerëzit e adhuronin babanë tim, sepse në stadium ishte i vetmi vend ku ata mund të ndiheshin shqiptarë. Ishte diçka më shumë se futbolli që e bëri atë të donte njerëzit”, thotë djali i tij. Para dhe gjatë konfliktit me Serbinë, futbolli ishte simbol i rezistencës për popullatën kosovare. Autoritetet serbe po bënin çmos për të parandaluar që kosovarët ta praktikonin atë. Një lojë në rrugë ose në një stadium klandestin ishte një mënyrë për të rebeluar dhe përforcuar ndjenjat kombëtare.

Pranë derës kryesore të hyrjes në stadium ka një statujë që nderon figurën e idhullit kosovar. Ajo u përurua më 23 korrik, data e ditëlindjes së Vokrrit, me nderime shtetërore. Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi pozën që zgjodhi skulptori për të përshkruar futbollin e Vokrrit, trungun e përkulur, kokën e ngritur lart dhe topin të ngjitur në këmbën e djathtë.

“Ai ishte krenaria e të gjithë Kosovës dhe kur gjërat ishin shumë të vështira në aspekte të tjera, Fadili u shpall futbollisti më i mirë në ish-Jugosllavi. Kjo statujë përfaqëson momentin kur Fadil Vokrri merr topin para se të hyjë në zonë duke shikuar këmbët e lojtarëve kundërshtarë që do t’i driblojë, dhe ka shumë të ngjarë, sa herë që ai hynte në zonë ose shënonte gol, ose fitonte penallti”, tha Kurti.

I rekrutuar nga Partizani i Beogradit, ekip me të cilin fitoi një titull në ligë, Vokrri i pati edhe 12 paraqitje me Përfaqësuesen e ish-Jugosllavisë. Ai ishte pjesë e ekipit që përbëhej nga lojtarët si Haxhibegiq, pastaj Sreçko Katanec e vëllezërit Vujoviq, të brezit para atij të Prosineçkit, Bobanit dhe Saviçeviqit.

“Kur u zgjodh ai tregoi se futbolli është më i fuqishëm se politika ose çështjet etnike”, thotë biri i tij. Besimi në Kosovën ka bërë që Vokrri më të mos ftohej nga ish-Jugosllavia për shkak se ishte kosovar.

Fama e Vokrrit kaloi kufijtë dhe e çoi atë fillimisht në Fenerbahçe, dhe më pas në Nimes.

“Babai im ishte i impresionuar nga tifozët turq, por edhe nuk kishte probleme për të luajtur futbollistët e të gjitha kombësive dhe kulturave”, vazhdon Gramoz Vokrri.

Juventusi i Torinos gjithashtu e vuri re atë, por transferimi nuk mund të finalizohej. I pensionuar në Francë, pas luftës mes Kosovës dhe Serbisë, Vokrri u kthye në Prishtinë.

“Ai u kthye për të punuar për të rinjtë, ai është krenar për atë që bëri, por tani ne duhet të krijojmë më shumë idhuj. E ardhmja është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj se kur rezultatet nuk janë të mira, lojtarët tanë më të rinj preferojnë të luajnë për Zvicrën ose Gjermaninë ”, përfundon djali i një futbollisti, i cili sonte do të kishte realizuar ëndrrën e tij të madhe, për të parë Kosovën të luante kundër njërës prej skuadrave më të mëdha të Evropës – Spanjës.


Shtuar 8.09.2021 15:12