Gjatë ceremonisë ku u promovuan 130 oficerë të rinj të Ushtrisë Serbe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq përsëriti pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, ndërsa kërkoi që kapacitetet ushtarake të Serbisë të fuqizohen më tej.
Të lidhura
None found
Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se Kosova i përket Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”. Ai u kërkoi atyre që ta “ruajnë” atë që vetë e përshkroi si “shenjtëri”.
Deklaratat shkaktuan reagime, pasi shihen si vazhdim i qëndrimit retorik të Beogradit zyrtar kundrejt Kosovës. Ato u bënë ndërkohë që dialogu Kosovë–Serbi ka për synim normalizimin e raporteve dhe zbutjen e tensioneve rajonale.
Hoxha: Nisur nga këto rrethana, Kosova duhet të tregojë kujdes të madh

Eksperti i sigurisë Valdet Hoxha konsideron se presidenti serb Aleksandër Vuçiq po ndjek ende politika që, sipas tij, e vënë në rrezik stabilitetin e Ballkanit. Ai thotë se Vuçiqi e ndërthur pjesëmarrjen në dialog me një gjuhë nxitëse kundër Kosovës.
Në një prononcim për “Bota sot”, Hoxha tha se sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc dëshmojnë se deklarata të tilla nuk mund të shpërfillen.
Sipas Hoxhës, presidenti serb Aleksandër Vuçiq është një udhëheqës autoritar që vazhdon të qeverisë sipas modelit të Sllobodan Millosheviqit, duke prodhuar politika dhe rrethana që kërcënojnë qëndrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ai vlerëson se Vuçiqi është edhe më djallëzor se mentori i tij, Millosheviqi. Në njërën anë, siç shprehet Hoxha, ai merr pjesë në dialogun Kosovë–Serbi, nënshkruan shumë marrëveshje dhe përpiqet të paraqitet si aktor “konstruktiv”. Në anën tjetër, me gjuhë nxitëse, deklarata publike kundër njohjes së Republikës së Kosovës dhe narrativa të rreme se komuniteti serb në Kosovë gjoja është i rrezikuar, ai e mban të gjallë retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës.
Hoxha thotë se sulmet terroriste në Banjskë dhe në Ibër-Lepenc tregojnë përse deklaratat dhe retorika nacionaliste e luftënxitëse e Vuçiqit nuk duhen neglizhuar. Sipas tij, ato u kryen nga struktura të mirëfinancuara, të organizuara dhe të trajnuara në Serbi, çka është vërtetuar edhe nga hetimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ndihmën e mekanizmave të sigurisë të partnerëve ndërkombëtarë.
Eksperti nënvizon se pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës vazhdojnë, ndaj Prishtina duhet të rrisë aftësitë e saj mbrojtëse, të fuqizojë ushtrinë dhe të thellojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.
Ai thekson se nuk përbën sekret fakti që Serbia ka pasur dhe ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Sipas tij, kjo nuk befason askënd, sepse në Serbi nuk kanë ndryshuar as aktorët politikë dhe as politikat hegjemoniste e gjenocidale, ndërsa nuk janë zhdukur as synimet për spastrim etnik në Kosovë.
Në këto kushte, sipas Hoxhës, Kosova duhet të veprojë me shumë kujdes në dy drejtime. Së pari, duhet të vijojë zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke ngritur një ushtri sipas standardeve të NATO-s dhe duke krijuar një model “Smart Defense” me shtete si Shqipëria, Kroacia, Bullgaria e të tjera. Së dyti, duhet të fuqizojë partneritetet dhe t’i bashkërendojë vendimet strategjike në fushën e mbrojtjes jo vetëm me partnerin strategjik, SHBA-në, por edhe me Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat ishin aleate në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Racaj: Deklarata të këtij lloji shtojnë tensionet politike dhe të sigurisë në rajon

Prof. Dr. Muhamet Racaj, ekspert i sigurisë, mbrojtjes dhe gjeopolitikës, e sheh retorikën e Vuçiqit për Kosovën si pjesë të një narrative politike që synon ta lërë të pazgjidhur çështjen e Kosovës dhe ta shfrytëzojë atë për politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë.
Sipas tij, kjo mënyrë veprimi i shton tensionet, e dëmton dialogun dhe cenon stabilitetin në rajon.
Racaj tha se deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë Serbe nuk mund të konsiderohen thjesht retorikë e zakonshme politike. Sipas tij, ato mishërojnë vazhdimësinë e një narrative shtetërore që synon ta mbajë të hapur çështjen e Kosovës dhe ta përdorë si mjet të politikës së jashtme dhe të brendshme. Një qasje e tillë, shtoi ai, është në kundërshtim me frymën e dialogut, parimet e fqinjësisë së mirë dhe synimin për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ai pohoi se deklarata të tilla i rrisin tensionet politike dhe të sigurisë në rajon. Kur presidenti u drejtohet oficerëve të rinj duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë dhe duke i dhënë ushtrisë një mision politik, sipas Racajt, përcillet një sinjal që mund të lexohet si sfidim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo nuk i shërben paqes, por thellon mosbesimin dhe e rrezikon qëndrueshmërinë rajonale.
Për Racajn, dialogu nënkupton pranimin e realitetit politik dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai tha për “Bota sot” se Serbia nuk mund të deklarohet e angazhuar për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkohë që udhëheqja e saj vazhdon ta mohojë shtetësinë e Kosovës dhe përdor një retorikë që bie ndesh me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, kjo sjellje ia minon besueshmërinë vetë procesit.
Racaj vëren se modernizimi i Ushtrisë Serbe bëhet shqetësues kur shoqërohet nga retorika politike kundër Kosovës.
Ai shton se trajtimi i çështjes së Kosovës në ligjërimin politik serb përdoret gjithashtu për mobilizim nacionalist dhe për konsolidimin e pushtetit.
Sipas Racajt, çdo vend gëzon të drejtën të zhvillojë aftësitë e veta mbrojtëse. Megjithatë, kur modernizimi ushtarak ndërthuret me deklarata politike kundër një shteti fqinj dhe me pretendime territoriale, ai merr karakter presioni dhe frikësimi. Kjo bëhet veçanërisht alarmuese në një rajon të përshkuar nga një histori konfliktesh, ku mënyra se si perceptohet kërcënimi ndikon drejtpërdrejt në sigurinë kolektive.
Ai thotë se Kosova vazhdon të jetë tema kryesore për mobilizimin e nacionalizmit serb. Kur shfaqen vështirësi politike, ekonomike ose sociale, narrativa për Kosovën rikthehet për ta zhvendosur vëmendjen e publikut dhe për ta bashkuar atë rreth udhëheqjes politike. Kjo taktikë, sipas tij, është zbatuar prej vitesh dhe mbetet pjesë e diskursit zyrtar të Serbisë.
Racaj vlerëson se shumë tregues dëshmojnë se lidhja e ushtrisë me narrativën politike rreth Kosovës krijon një klimë patriotizmi emocional, e cila shpesh vihet në funksion të rritjes së përkrahjes për pushtetin. Ai thekson se historia ka treguar që instrumentalizimi i çështjeve kombëtare për nevoja të politikës së brendshme nuk sjell stabilitet, por prodhon tensione të panevojshme dhe pengon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në rajon.
Në fund, Racaj nënvizoi se dialogu, bashkëpunimi dhe respektimi i sovranitetit të shteteve janë të domosdoshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Për “Bota sot”, ai përfundoi se rajonit i nevojitet një lidership që nxit paqen, dialogun dhe respektimin e realitetit ndërkombëtar, e jo një gjuhë që rikthen narrativat e së kaluarës. Sipas tij, stabiliteti rajonal mbështetet te respekti i ndërsjellë, bashkëpunimi dhe njohja e sovranitetit shtetëror, ndërsa çdo deklaratë që i vë në pikëpyetje këto parime shton pasigurinë dhe e dëmton perspektivën evropiane të rajonit.
