Debati për kufijtë, Kosova kundër: Nuk pranojmë asnjë lloj dialogu

Bekim Kupina, këshilltari për Media i Presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se qëndrimi i Presidentes është i njohur rreth idesë së lëvizjes së kufijve dhe se Vjosa Osmani si shefe e shtetit nuk do të marrë pjesë në kurrfarë negociatash ku temë e diskutimit do të jetë territori i Republikës. Këtë deklaratë Kupina e ka dhënë për Gazetën Express i pyetur rreth “letrës sllovene”, në të cilën flitet për vendosje të re të kufijve të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Qëndrimi i Presidentes Osmani është i njohur. Nuk pranojmë dhe nuk do të jemi pjesë e asnjë lloj dialogu që temë diskutimi e ka territorin e Republikës së Kosovës, që prekë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të saj”, ka thënë ai.

Më tej ai thotë se s’mund t’i komentojnë artikujt e mediave, derisa thotë se ekzistencën e një letre të tillë e kanë mohuar edhe autoritetet sllovene.

“Ne nuk mund t`i komentojmë artikujt e mediave. Sido që të jetë, pas komunikimit me ta, përfaqësuesit e shtetit slloven kanë bërë të ditur se artikulli të cilit i referoheni ju është një lajm i rremë (fake news), ndaj ekzistenca e tij  është mohuar nga autoritetet sllovene. Po ashtu, një gjë të tillë e kemi konfirmuar edhe pas bisedave që kemi pasur me Brukselin”, ka përfunduar Kupina.

Ndërkohë se është kundër ndryshimit të kufijve e ka thënë edhe vetë kreu i shtetit Slloven, Borut Pahor.

Kundër një lëvizje të tillë të kufijve ka dalë edhe ministri për Evropë i Qeverisë Gjermane, Michael Roth, i cili thotë se rivizatimi i kufijve është një rrugë e rrezikshme./GazetaExpress./


Shtuar 16.04.2021 17:05