Më 26 qershor, gazeta “Bota Sot” shënon 31-vjetorin e themelimit, duke u renditur ndër rrugëtimet më të gjata dhe më të qëndrueshme në hapësirën mediatike shqiptare.
Përgjatë këtyre tri dekadave, ajo ka qenë e pranishme në zhvillimet politike, shoqërore dhe kulturore, duke raportuar ngjarjet më të rëndësishme në vend dhe në diasporë, ndërsa njëkohësisht është përshtatur me ndryshimet e mëdha të gazetarisë moderne, sidomos me hyrjen në epokën digjitale.
Të lidhura
None found
Me rastin e këtij jubileu, bashkëpunëtorë të gazetës kanë ndarë vlerësimet dhe mendimet e tyre për rolin që ka luajtur “Bota Sot” ndër vite, si edhe për vlerat që, sipas tyre, e kanë mbajtur të qëndrueshme dhe të lexuar nga publiku shqiptar.
Sipas tyre, “Bota Sot” ka luajtur rolin e një ure lidhëse mes shqiptarëve të diasporës dhe atyre në trojet shqiptare, duke pasqyruar zhvillimet kryesore politike, shoqërore e kulturore dhe duke ndjekur transformimet që epoka digjitale ka sjellë në gazetari.
“Bota Sot”, zëri i shqiptarëve
Analisti politik nga Shqipëria dhe bashkëpunëtori i gazetës, Ilir Vata, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të “Bota Sot”, ka vlerësuar rëndësinë historike të saj dhe rrugën e zhvillimit që ka ndjekur në hapësirën shqiptare.
“Më 26 qershor, ‘Bota Sot’ shënon 31-vjetorin e themelimit të saj. Si bashkëpunëtor i gazetës ‘Bota Sot’, e vlerësoj lart zhvillimin e saj gjatë këtyre 31 viteve dhe përshtatjen me ndryshimet e mëdha që ka përjetuar gazetaria shqiptare.
‘Bota Sot’ i ka prirë shtypit shqiptar në diasporë, duke u bërë një dritare e rëndësishme për informimin e shqiptarëve kudo në botë. Edhe pse nuk u shpërnda fizikisht në Shqipëri, ajo mbeti një urëlidhëse mes shqiptarëve, duke pasqyruar realitetin shqiptar në të gjithë rajonin. Epoka e internetit i dobësoi mediat e shkruara në letër, por faqja online e ‘Bota Sot’ e bëri atë edhe më universale dhe më të aksesueshme”, ka vlerësuar ai për “Bota Sot”.
Vata ka theksuar gjithashtu se “Bota Sot” dallohet për vërtetësinë, besueshmërinë, paanësinë dhe frymën kombëtare, ndërsa ka nënvizuar edhe gamën e gjerë të temave që trajton, nga lajmi i shpejtë dhe kronika deri te analiza, politika, kultura, arti dhe etnogjeneza.
“‘Bota Sot’ karakterizohet nga vërtetësia, besueshmëria, paanësia dhe fryma kombëtare. Larmia e temave që trajton, nga lajmi i shpejtë dhe koherent, te kronika, analiza, politika, kultura, arti dhe etnogjeneza, e bën një nga mediat më të konsoliduara sot, madje një nga më të lexuarat dhe më të ndjekurat në botën shqiptare. Prania e saj për 31 vjet në treg dëshmon se ‘Bota Sot’ është rritur, është maturuar dhe mbetet një media serioze dhe koherente.
Kam pasur privilegjin të jem pjesë e saj me një kontribut modest, për të pasuruar përmbajtjen e saj. Pikërisht zëri i gazetarëve, analistëve, qytetarëve dhe politikanëve e ka bërë ‘Bota Sot’ vërtet zërin e shqiptarëve”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka nënvizuar se gazeta ka qenë edhe zëri i të burgosurve politikë në Shqipëri.
“‘Bota Sot’ ka qenë edhe zëri i të burgosurve politikë në Shqipëri. Më lejoni që, në emër të Partisë së të Drejtave të Mohuara (PDM), si kryetar i saj dhe si gazetar, t’i uroj ‘Bota Sot’ gëzuar 31-vjetorin e themelimit. Urime dhe suksese të mëtejshme!”, ka përfunduar Vata.
Muçiqi: Një nga mediumet më të besueshme shqiptare
Nga ana tjetër, bashkëpunëtori tjetër, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, ka vlerësuar “Bota Sot” si një nga mediumet më të besueshme dhe më të lexuara në trojet shqiptare.
Sipas Muçiqit, që prej themelimit, redaksia e gazetës i ka qëndruar besnike kauzës kombëtare dhe patriotike të shqiptarëve.
“Gazeta ‘Bota Sot’ është një nga mediumet më të besueshme dhe më të lexuara në trojet shqiptare. Kjo gazetë, përkatësisht redaksia editoriale e gazetarëve të ‘Bota Sot’, që nga themelimi i saj i ka qëndruar besnike kauzës kombëtare dhe patriotike të kombit shqiptar.
Posaçërisht, gazeta ‘Bota Sot’ ishte udhërrëfyes i aktivitetit kundër pushtetit serb dhe kundër të gjithë atyre që punuan kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka cilësuar ai.
Në fund, Muçiqi ka vënë në pah rëndësinë e politikës redaktuese dhe, me rastin e 31-vjetorit, ka uruar gazetën që të vijojë rrugëtimin e saj profesional në shërbim të kombit dhe shtetit.
“Një nga vlerat më kryesore ishte dhe është politika redaktuese, editoriale, profesionale dhe kombëtare, të cilat e kanë mbajtur gjallë gazetën dhe, njëherësh, e kanë mishëruar në masën e duhur lexuesin e saj. Andaj, në shenjë të 31-vjetorit të botimit të gazetës ‘Bota Sot’, në emër të kolegëve, gazetarëve – opinionistëve dhe në emër të shumë intelektualëve që e lexojnë gazetën ‘Bota Sot’, ju urojmë këtë përvjetor me shpresë dhe dëshirë që kjo gazetë të vazhdojë rrugëtimin profesional në interes të shtetit dhe kombit”, ka përfunduar Muçiqi për “Bota Sot”.
